Lajme
Kurti kërkon rishikimin e demarkacionit, Osmani nga Mali i Zi: Nuk është çështje politikanësh
Demokracia
14:32 | 30 Maj 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, shpesh ka folur për rishikimin e demarkacionit me Malin e Zi, edhe pse marrëveshja është e ratifikuar nga dy parlamentet.

Çështja e demarkacionit, sipas presidentes së vendit, Vjosa Osmani, nuk është çështje e politikanëve, shkruan Demokracia.com.

Osmani, e cila po merr pjesë në Samitin për Demokraci të Evropës Juglindore që po mbahet në Mal të Zi, ka folur nga atje për demarkacionin.

Ajo për Radiotelevizionin e Malit të Zi ka thënë se me këtë çështje nuk duhet të merren politikanët, por ekspertët.

Osmani ka rikujtuar se Kosova i ka ratifikuar tri dokumentet nga kjo marrëveshje.

“Prandaj besoj se çfarëdo që është ratifikuar në parlamentin tonë paraqet rrugë drejt së ardhmes. Kjo do të thotë që në këtë moment kjo nuk duhet të jetë çështje për politikanët. Nuk duhet që politikanët të flasin për diçka që e kanë shqyrtuar ekspertët”, ka thënë Osmani.

Ajo ka thënë që duhet të formohet një komitet i përbashkët teknik, i cili do të vendos kufijtë në bazë të ekspertizës së përbashkët që janë pajtuar dy shtetet.

Ndërkohë, kryeministri Kurti, shpresonte se me ardhjen e Dritan Abazoviqit në krye të ekzekutivit të Malit të Zi mund të krijohen kushte të reja për të rishikuar demarkacionin.

“Shpresojmë që do të ketë kushte të reja, me qeverinë e re për ta trajtuar edhe këtë çështje për të cilën natyrisht fajin e përgjegjësinë e ka ajo qeveria e atëhershme, e cila padrejtësisht, gabimisht e shumë dëmshëm, ia dha Malit të Zi 8200 hektarë të territorit të Kosovës”, pati thënë Kurti.

Por, atij ia shuajti shpresat Abazoviqi. Shefi i ri i ekzekutivit malazez e ka bërë të ditur qëndrimin e tij edhe në lidhje me nismën rajonale të Ballkanit të Hapur dhe për demarkacionin me Kosovën. Për këtë të fundit, Abazoviq u bë tepër i qartë.

Me gjuhën e tij të drejtpërdrejtë, Abazoviq theksoi se demarkacioni për të është çështje e mbyllur.

“Në këtë moment nuk e shoh atë mundësi, as dikush në Mal të Zi atë nuk e trajton si problem. Për Mal të Zi, ajo është çështje e mbyllur në momentin kur është nënshkruar”, pati deklaruar Abazoviq. /Demokracia.com/

Të ngjashme