Lajme
Kurti kalon nga ideja e bashkimit kombëtar në urime për “liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik”
Demokracia
22:53 | 21 Nëntor 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka kohë që e ka harruar idenë e bashkimit kombëtar. Këtë ide ai e ka harruar pas ardhjes në pushtet. 

“Si Kryeministër i Republikës së Kosovës, ju uroj 111-vjetorin e shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë dhe krijimit të shtetit shqiptar, duke i nisur urimet tona nga sot e deri më 28 nëntor, për liri të qytetarëve dhe barazi mes popujve të rajonit tonë ballkanik e të kontinentit tonë evropian, për paqe brenda shteteve e ndërmjet shteteve gjithandej botës, për siguri të qëndrueshme për të gjithë dhe progres gjithëpërfshirës për secilin”, tha ai sonte në pritjen e organizuar nga Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Kosovë, me rastin e 28 Nëntorit, 111-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë.

Para të pranishmëve, kryeministri Kurti fillimisht uroi të gjithë shqiptarët për kualifikimin e kombëtares shqiptare të futbollit në EURO 2024, njofton ZKM.

Më tej, duke ndërlidhur tre data të rëndësishme për popullin shqiptar, kryeministri Kurti tha se ‘’28 Nëntori është datë themeltare e lirisë dhe e flamurit, e bashkimit dhe e pavarësisë, e shtetit dhe e fitores. 28 Nëntori i Skënderbeut në Krujë në mes të shekullit XV, 28 nëntori i Ismail Qemalit në Vlorë në fillim të shekullit XX, dhe 28 nëntori i Adem Jasharit në Prekaz në fund të shekullit XX, janë filli historik i thurjes kombëtare të ne shqiptarëve’’.

Ai tha se pikërisht në kulmin e fushatave kriminale të ushtrive serbe që shkuan deri në Durrës dhe Elbasan, patriotët shqiptarë të rrymave dhe krahëve të ndryshëm, u bashkuan rreth idesë së pavarësisë që u proklamua pasditen e 28 nëntorit 1912 në Kuvendin e Vlorës, ku Shqipëria u shpall e pavarur.

“Pas një jave do të mbushen plot 111 vite nga ajo ditë kur drejtuesi i atij kuvendi kombëtar, Ismail Qemal Vlora, u bë edhe kryeministri i parë i Shqipërisë së pavarur.”, tha ai.

Për 15 vjet, Albin Kurti e ka parë si të domosdoshëm bashkimin e Kosovës me Shqipërinë dhe jo vetëm.

Çdo pengesë e madhe që përmendej, si ajo që bashkimi kombëtar nuk mund të bëhet pa mbështetjen dhe pajtimin ndërkombëtar, për Albin Kurtin ishte vetëm një arsyetim i radhës “i një klase politike të korruptuar dhe e pazonja për të bashkuar kombin”.

Por, “ideali i madh i Albin Kurtit”, që nuk paska qenë kurrë i vërtetë, u shua sapo ai shkeli në xhipin me xhama të zinj.

Në këtë rehati, Albin Kurti gjeti edhe arsyetimin për t’i ikur punës për idealin e madh.

Ai filloi ta lexonte me zë të lartë nenin 1.3 të Kushtetutës së Kosovës, që dikur premtonte, me zë po aq të lartë, se do ta ndryshonte kur të vinte në pushtet.

Sot, Albin Kurti, që kërkonte e premtonte bashkim kombëtar, ka hequr dorë dhe po shpreson se dikush tjetër do ta bëjë të mundur që të vijë puna e një referendumi për bashkim.

Lexo edhe:

Ku mbeti Bashkimi Kombëtar? Kurti sot: Dy shtete – një komb, jemi me Shqipërinë

Të ngjashme