Lajme
Kurti ia huq me interpretimin e ligjit | Mandati i një kryetari nuk ndërpritet me 20 % të elektoratit, duhen mbi 50 %
Demokracia
21:28 | 10 Gusht 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot ka thënë se kur 20 për qind e elektoratit shpreh vullnetin për t’ua ndërprerë mandatin kryetarëve të komunave, dëshmohet se nuk do të bojkotohen zgjedhjet. 

Por, kjo tregon se kryeministri Kurti ia ka huqur sa i përket interpretimit ligjor lidhur me mandatin e drejtuesve të komunave, shkruan Demokracia.com.

“Sa i përket zgjedhjeve të reja të parakohshme, ne qysh nga fillimi kemi thënë se nuk jemi të kënaqur me daljen e qytetarëve në zgjedhjet më 23 prill të këtij viti dhe me ato çfarë mësuan si përqindje më 24 prill të nesërmen. Andaj kemi ofruar mundësinë që të kemi zgjedhje të parakohshme, por natyrisht dëshirojmë të mos na përsëritet situata, në të cilën sërish do të kemi bojkot të pjesëmarrjes në zgjedhje, qoftë si votim apo si kandidim. Ne mendojmë se mënyra e duhur për këtë është duke shfrytëzuar nenin 72 të Ligjit për Vetëqeverisje Lokale, i cili parasheh mundësinë e 20 për qind të trupit elektoral që të dalin dhe shprehin vullnetin e tyre për t’i ndërprerë mandatin e kryetarëve aktualë”, tha sot Kurti.

Mirëpo, pikërisht ligji i njëjtë në nenin 72.3 e thotë të kundërtën, shkruan Demokracia.com.

Ky ligj thotë se iniciativa duhet të merret nga 20 për qind e qytetarëve, kurse nëse shumica e votuesve të regjistruar votojnë për largimin e kryetarit, zgjedhjet e reja për kryetar duhet të bëhen në pajtim me Ligjin mbi Zgjedhjet. Pra, pika 72.3 i këtij ligji nënkupton se për largimin e kryetarit duhet të votojnë mbi 50% e qytetarëve të regjistruar si votues në atë komunë.

Ndërkombëtarët kanë kërkuar zgjedhje të reja në veri pas tensioneve që u krijuan në katër komunat veriore. Për këtë çështje, Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal tashmë ka nisur punën për krijimin e udhëzimit administrativ që do t’i hapte rrugë zgjedhjeve të reja përmes peticionit. /Demokracia.com/

Të ngjashme