Lajme
Kurti injoron Ditën e Kushtetutës, në qeverisjen e tij u shkel katër herë
Demokracia
16:06 | 09 Prill 2022

Share:

Katër vendime të pushtetit të Albin Kurtit deri më tani janë shpallur si anti-kushtetuese. Sot, kur shënohet 14 vjetori i Ditës së Kushtetutës të Republikës së Kosovës, kryeministri nuk e ka marrë as mundin të urojë apo të shkruajë pak fjalë për të.

Kryeministri Kurti gjatë këtyre ditëve po qëndron në Greqi, ku po merr pjesë në Forumin Ekonomik të Delphi, përcjell Demokracia.com.

Duke parë agjendën e tij dhe takimet që ka zhvilluar atje, nuk mund të thuhet se kryeministri Albin Kurti, s’ka pasur kohë të shkruajë disa fjalë për Ditën e Kushtetutës.

Pikërisht në kohën kur gjendet nën presion nga opinioni publik për shkarkimin e ministres Arbërie Nagavci, për të cilën dje u konstatua se e ka shkelur Kushtetutën, Kurti ka vendosur të qëndrojë i heshtur.

Në asnjëren prej llogarive të tij në rrjetet sociale, të cilat vlen të theksohet se i përdor shumë, ai nuk ka uruar për Ditën e Kushtetutës.

Reagim për këtë 14-vjetor nuk ka as në faqen zyrtare të Zyrës së Kryeministrit, raporton Demokracia.com.

Kur është fjala te Kushtetuta, pushteti i Kurtit e ka shkelur plot 4 herë atë deri më tani.

Më 24 mars 2020, kur mori për herë të parë pushtetin, Kurti vendosi që t’i izolojë qytetarët e Kosovës duke e vendosur si masë anti-Covid kufizimin e lëvizjes së qytetarëve. Kjo ishte kundërshtuar nga presidenti i atëhershëm, Hashim Thaçi, i cili e kishte adresuar këtë çështje në Gjykatën Kushtetuese.

Pas disa ditësh, ky institucion i dha të drejtë Thaçit dhe kështu një ndër vendimet e para të Kurtit u shpall i pavlefshëm.

Për pandeminë Covid-19, Ministria e Shëndetësisë, e cila atë kohë drejtohej nga Arben Vitia, kishte marrë edhe një vendim tjetër. Ky institucion insistonte që Komuna e Prizrenit të shpallet zonë karantine, raporton Demokracia.com.

Për këtë, Partia Demokratike e Kosovës ishte ankuar në Gjykatën Kushtetuese, e cila e kishte shpallur si anti-kushtetues edhe këtë vendim të pushtetit të Kurtit, raporton Demokracia.com.

Në dhjetor të vitit 2021, Gjykata Kushtetuese kishte shfuqizuar vendimin e Kuvendit të Kosovës për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës.

Përmes një njoftimi për media, nga Kushtetuesja ishte thënë se vendimi i Kuvendit, institucion të cilin e udhëheq Glauk Konjufca, për shkarkimin e pesë anëtarëve të Këshillit të Pavarur Mbikëqyrës për Shërbimin Civil të Kosovës nuk ka qenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe për këtë ka vendosur ta shfuqizojë këtë vendim.

Së fundmi, pikërisht një ditë para Ditës së Kushtetutës, edhe një ministre tjeter e Kurtit shkeli Kushtetutën, të cilës, po i kërkohet edhe dorëheqja.

Të premten, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës ka bërë të ditur se ka gjetur se Ministria e Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, që drejtohet nga Arbërie Nagavci, ka shkelur Kushtetutën e Kosovës me vendimin e 23 prillit 2021, ku jepte direktiva për organizimin e mësimit në Komunën e Kamenicës dhe hidhte poshtë reformën e ndërmarrë nga ish-kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati, raporton Demokracia.com.

“Gjykata ka vlerësuar kushtetutshmërinë e Vendimit të 23 prillit 2021 të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (në tekstin e mëtejmë: MASHTI). Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së këtij akti është parashtruar në Gjykatë nga Komuna e Kamenicës bazuar në autorizimet e përcaktuara me paragrafin 4 të nenit 113 [Jurisdiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës. Në vlerësimin e kushtetutshmërisë së Vendimit të kontestuar, Gjykata njëzëri vendosi që: (i) kërkesa është e pranueshme; (ii) Vendimi [nr.01B/24] i 23 prillit 2021 i MASHTI-it, nuk është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 12 [Pushteti Lokal], paragrafët 1 dhe 3 të nenit 123 [Parimet e Përgjithshme] dhe paragrafët 2 dhe 3 të nenit 124 [Organizimi dhe Funksionimi i Vetëqeverisjes Lokale] të Kushtetutës; (iii) të refuzojë kërkesën për masë të përkohshme; dhe (iv) të refuzojë kërkesën për tërheqje të kërkesës”, thuhet në vendimin e Kushtetueses./Demokracia.com/

Të ngjashme