Lajme
Kurti i reagon Tahirit: S’është e vërtetë që në Kosovë s’ka pagë më të ulët se 250 euro
Demokracia
14:02 | 16 Qershor 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti pas deklaratës së shefit të Grupit Parlamentar të AAK-së, Besnik Tahiri, se në Kosovë nuk ka pagë nën 250 euro, ka thënë se nuk është i vërtetë ky pohim.

Kurti gjatë replikës ndaj Tahirit ka theksuar se ende në vend ka punëtorë që paguhen nën nivelin e pagës minimale.

“Nuk është e vërtetë që në Kosovë nuk ka pagë më të ulët se nën 250 euro. Kjo është arsyeja që paga minimale nuk është rritur më herët, pikërisht se ka pasur paga më të ulëta. Ende ka në Kosovë kamerierë e pastrues që e kanë më të ulët pagën se ajo minimale”, tha Kurti në Kuvendin e Kosovës.

I pari i Qeverisë së Kosovës ka shtuar se Projektligji për Pagën Minimale ka kaluar veç në lexim të parë.

“Paga minimale ka kaluar në lexim të parë e është bërë 264 euro bruto, që paraqet një rritje prej 55 për qind, përkatësisht në 103 për qind, me qenë se ishin dy nivele të pagës minimale. I gjithë tatimi i pagës minimale largohet”, shtoi ai.

Në fund, Kurti tha se është i gatshëm që t’i takojë përfaqësuesit e organizatave të dala nga lufta.

“Jam për dialog, për të diskutuar për organizatat e dala nga lufta. Unë do t’i takoj veteranët, e nuk është takimi i parë, do t’i takoj serish. Ajo se çfarë unë po propozoj është që unë ta anuloj takimin e nesër të Prespës e po i pres bashkë me ministrin e Financave dhe me kryetarin për Buxhet dhe Financa”, përfundoi ai. /Demokracia.com/

Tahiri-Qeverisë për Ligjin për pagën minimale: Ndikimi i vetëm i këtij ligji është me t’u bo llugë Kosova – Demokracia

Të ngjashme