Lajme
Kurti i quan interpretime partizane audio-incizimet e Kusari-Lilës me Simiqin
Demokracia
15:43 | 12 Korrik 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij ka “zero varësi nga Lista Serbe” e se shefja e Grupit Parlamentar të Vetëvendosjes, Mimoza Kusari-Lila, e ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota në Kuvend, kur është pyetur për t’i komentuar incizimet e publikuara në të cilat dëgjohet Kusari-Lila duke komunikuar me përfaqësues të partisë serbe.

Që nga fillimi i javës, incizimet e publikuara nga gazeta “Nacionale”, ku përfshihen Kusari-Lila dhe ish-deputeti i Listës Serbe, Sllavko Simiq në një bisedë mes vete, kanë nxitur debat në opinion.

Opozita po akuzon pushtetin se ka koordinuar veprimet e tyre me Listën Serbe në projektligjet e ndryshme në Kuvend.

E Kurti për këtë publikim, ka thënë se shefja e grupit parlamentar ka për detyrë të sigurojë sa më shumë vota.

“Së pari, aty shefja e grupit parlamentar dëgjohet disa sekonda e shumë minuta ka interpretime paraprake partizane. Shefja e grupit parlamentar natyrisht jo vetëm që komunikon me shefat e grupeve të tjera parlamentare, por e ka për detyrë që të sigurohen sa më shumë vota. Qeveria ka zero varësi nga Lista Serbe”, ka thënë Kurti para gazetarëve gjatë vënies së gurthemelit të Qendrës Multifunksionale në Podujevë. “Unë as që kam komunikuar, e as takuar, ndonjë herë personin në fjalë. Keni kujdes sa i përket luftës hibride që bëhet nga Serbia”, ka shtuar në komentin e incizimeve ku përmendet në disa raste emri i Milan Radojiçiqit, nënkryetar i Listës Serbe, e person që kërkohet nga autoritetet e Kosovës për disa vepra penale dhe i sanksionuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Të ngjashme