Lajme
Kurti i pakënaqur me kryesindikalistët, LVV nis punën për “kapjen” e sindikatave
Demokracia
16:20 | 09 Dhjetor 2021

Share:

Pas pakënaqësive të shprehura publikisht nga kryeministri Kurti kundër drejtuesve të sindikatave të administratës publike, sot është organizuar një punëtori për regjistrimin e sindikatave për mbrojtjen e punëtorëve në sektorin publik e privat, në të cilën kanë marrë pjesë edhe bashkëpartiakë të Albin Kurtit. Ky organizim po vjen pikërisht në kohën kur kryeministri u ka shpallur “luftë” drejtuesve të këtyre sindikatave.

Në një prej hoteleve në Prishtinë, sot është mbajtur një punëtori në të cilën është diskutuar për “sindikatat dhe organizimin e tyre”, raporton Demokracia.com.

Në këtë organizim, të pranishëm kanë qenë edhe zyrtarë të Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve.

Demokracia.com merr vesh se pjesëmarrës në këtë punëtori kanë qenë edhe tre deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatmire Kollçaku, Visar Korenica dhe Emran Ramadani.

Pikërisht, kreu i kësaj partie, i cili është edhe udhëheqës i ekzekutivit, së fundmi nuk i ka pasur mirë marrëdhëniet me sindikatat dhe drejtuesit e tyre.

Kryeministri Kurti kohëve të fundit ka thënë se udhëheqësit e sindikatave në Kosovë duhet të ndryshohen.

Madje, ai këtë e ka lidhur me fitoren e tij, duke deklaruar se “qytetarët e Kosovës nuk mjaftohen që për shumë vite të vazhdojnë t’i përfaqësojnë të njëjtit njerëz”.

Në anën tjetër, pjesëmarrja në tryezën e organizuar sot e bashkëpartiakëve të Kurtit dhe ndikimi që këta të fundit kanë në MFPT, shihet si mënyrë për kapjen edhe të sindikatave dhe kontrollimin e tyre.

Vlen të përmendet se Kurti gjatë kohës sa ishte në opozitë ka qenë shumë i lidhur me sindikalistët.

Përveç që organizonte protesta me ta, Kurti shpesh shihej edhe në tryeza e takime me kryesindikalistët.

Mosmarrëveshjet mes Qeverisë dhe sindikalistëve filluan kur këta të fundit kërkuan nga Qeveria që Projektligji për Pagat të hartohet në bashkëpunim me sindikatat dhe që si ligj të fillojë zbatimin në vitin 2022.

Sindikatat që kanë shprehur vazhdimisht këto kërkesa kanë qenë Sindikata e Bashkuar e Arsimit dhe Shkencës e Kosovës dhe Federata e Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës.

Pas deklaratave të kryeministrit Kurti, kryetari i FSSHK-së, Blerim Syla, kishte thënë se një rrugë e tillë e çon vendin drejt diktaturës.

“Kemi të bëjmë me një përzierje direkte të qeverisë dhe rrezikim të demokracisë. Kam frikë se një rrugë e tillë na çon drejt diktaturës dhe është një tendencë e kapjes së sindikatave”, ka thënë Syla, transmeton Demokracia.com.

Nga SBASHK-u kanë thënë se takimi i fundit me kryeministrin Kurti ka qenë shumë i tensionuar.

Ndërkaq, kryetari i Sindikatës së Pavarur të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, ka thënë se e ka befasuar deklarata e kryeministrit Albin Kurti për sindikatat në Kosovë.

Azemi ka thënë se shumë prej punëtorëve të këtij sektori e kanë votuar Kurtin për kryeministër, por se kanë mbetur shumë të zhgënjyer nga ai./Demokracia.com/

 

Të ngjashme