Lajme
Kurti i mbron të dyshuarit për korrupsion dhe mban leksione morali për tolerancë zero ndaj hajnisë
Demokracia
17:54 | 24 Maj 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka thënë se përmirësimi në 20 vendet për dy vite qeverisje në indeksin e korrupsionit të Transparency International, nuk mjafton.

Ai ka thënë se synimi është ndërtimi i një shoqërie pa korrupsion.

Këto ai i ka thënë përmes një postimi në Facebook, ku ka folur për takimin e parë ndërmjet ekzekutivit dhe shoqërisë civile për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit.

“20 vende përmirësim në dy vite qeverisje në indeksin e korrupsionit të Transparency International. Por kjo nuk mjafton. Duam të ndërtojmë një shoqëri që ka zero tolerancë ndaj korrupsionit, zero tolerancë ndaj ryshfetit dhe ndaj kontratave në këmbim të favoreve. Së bashku me ministra të kabinetit, drejtues të agjencive të shtetit tonë, organizatave të shoqërisë civile, sot mbajtëm takimin e parë për hartimin e Strategjisë Kundër Korrupsionit”, ka shkruar Kurti.

Megjithatë, kryeministri Kurti e kishte mbrojtur kryeshefin e arrestuar të KEK-ut, Nagip Krasniqi, i cili po mbahet në paraburgim për keqpërdorim të detyrës, ushtrim ndikimi dhe konflikt interesi.

Pas arrestimi të tij, Kurti nga salla e Kuvendit kishte thënë se Prokuroria nuk është marrë me rastet e kaluara në KEK, duke mbrojtur kështu kryeshefin e arrestuar të KEK-ut.

“Është e vërtetë që dje u arrestua kryeshefi i KEK-ut. Tash ai është në ndalim dhe është sistemi i drejtësisë ai i cili merret me çështjen e tij. Kjo çështje ka fakte dhe ne urojmë dhe shpresojmë që të merren me profesionalizëm dhe përpikëri. Në anën tjetër është fakt që pati gëzim opozitar për arrestimin e Krasniqit. Ne e dimë që në të kaluarën ka pasur keqpërdorime marramendëse, por që nuk janë trajtuar nga prokuroria. Natyrisht që udhëheqja e re e KEK-ut ka deponuar me dhjetëra fakte, dëshmi materiale, për keqpërdorime që ka gjetur aty, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me keqpërdorimet e mëhershme ka qenë zero, mirëpo zelli i Prokurorisë për tu marrë me kryeshiefin që i solli fitime KEK-ut ka qenë maksimal”, kishte thënë Kurti.

Po ashtu, pas zbulimit të skandalit financiar të ambasadorit Martin Berishaj, kryeministri Kurti e kishte justifikuara atë duke thënë se nuk ka kurrfarë korrupsioni.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Ajo ishte pjesë e një fushate në Slloveni, ku kryeministri i hupi zgjedhjet dhe ajo e përfshiu ambasadorin e që nuk ka të bëjë asgjë as me të, as me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Vitin e kaluar televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave. /Demokracia.com/

Të ngjashme