Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama sot ka thënë se Kosova po beson në teori konspiracioni sa i përket nismës Ballkani i Hapur, deklaratë për të cilën i është kundërpërgjigjur kryeministri Albin Kurti.
Kurti deklaroi se dallimi kryesor mes Procesit të Berlinit dhe nismës Ballkani i Hapur është fakti se në të dytën nuk është i pranishëm Bashkimi Evropian, raporton Demokracia.com.
Kurti në një konferencë për media pas takimit me kancelaren gjermane Angela Merkel në Tiranë, e tha qartë se Kosova nuk do të bëhet pjesë e nismës Ballkani i Hapur.
Ndërkohë, Rama sot ka thumbuar Kurtin duke thënë se “është e pabesueshme që Kosova po beson në teori konspiracioni për Ballkanin e Hapur”.
“Sa i përket 4 lirive, duam të ecim më shpejt. Një nga pengesat ka qenë se Serbia nuk e pranonte lëvizjen e lirë të njerëzve se ka pasur paragjykimin se lëvizja e lirë mes Shqipërisë dhe Kosovës do të ishte e garantuar. Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për “Open Balkan”. Traseja është e shtruar. Procesi i Berlinit do të vazhdojë, Open Balkan është mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka asnjë kontradiktë mes të dyjave”, kishte deklaruar Rama.
Këto deklarata sot janë bërë në Shqipëri, pas vizitës së kancelares gjermane, Angela Merkel./Demokracia.com/
https://www.facebook.com/demokraciacom/videos/539572660465620