Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është ankuar pas marrëveshjes së re mes Rusisë dhe Serbisë për gazin, e cila u arrit nga Vladimir Putin dhe Aleksandar Vuçiq.
“Ata as nuk duhet të takohen më: marrëveshjet midis Putinit dhe Vuçiqit tani arrihen përmes bisedave telefonike. Por, ja çfarë tha Vuçiq në lidhje me Kosovën pas takimit të tij të 19-të me Putinin në Soçi më 25 nëntor 2021: Unë fola për standarde të dyfishta dhe shpesh hipokrizi në marrëdhëniet ndërkombëtare, Presidenti Putin e njeh këtë dhe e kupton mirë se për çfarë po flas, por ai më kërkoi shpjegime shtesë, kështu që folëm për veriun e Kosovës dhe ia treguam në hartë”, ka shkruar Kurti në llogarinë e tij në Twitter.
Por, vetë Qeveria e Albin Kurtit e kishte refuzuar një projekt të rëndësishëm amerikan për sjelljen e gazit, projekt amerikan nëpërmjet të cilit synohej t’i jepej fund monopolit të Rusisë në tregun e gazit serb dhe hapjen e derës për këtë burim energjie nga vendet e tjera, përfshirë gazin natyror të lëngshëm, LNG, nga Shtetet e Bashkuara.
Qeveria e Kurtit ka refuzuar projektin për ndërtimin e infrastrukturës për gazsjellësin në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit (MCC) nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), shkruan Demokracia.com.
Në shtator të vitit të kaluar, ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli tha se Kosova nuk do të vazhdojë përpara me këtë projekt.
Rizvanolli këtë vendim atëherë e pati arsyetuar se “Kosovës i duhen më shumë informata për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin tonë energjetik, ndërsa nga ana tjetër MCC-ja ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kontaktit”.
“Përballë afateve kohore të MCC ne kemi vendosur të ecim tutje dhe të shfrytëzojmë investimin e alokuar për programin e kompaktit, për investime me risk më të ulët, por që ndihmojnë Kosovën drejt dekarbonizimit të sektorit të energjisë dhe krijojnë kushte për zhvillim ekomomik dhe zhvillim të sektorit privat”, pati thënë Rizvanolli gjatë një konference për media.
Ajo ka thënë se gjatë muajve në vijim “do të vazhdojmë punën e përbashkët intensive me ekipin e MCC-së, në këtë drejtim dhe jemi mirënjohës MCC-së, qeverisë amerikane dhe agjencive amerikane për ndihmën teknike dhe financiare i kanë dhënë dhe vazhdojnë t’i japin sektorit të energjisë së Kosovës”.
Projekti i gazit amerikan është kthyer në problem serioz mes Qeverisë së Kosovës të udhëhequr nga Albin Kurti dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Kështu, ndërtimi i Termocentralit me LNG (Gas Natyror), i cili derivon nga marrëveshja e vitit 2020 në mes të ish-kryeministrit Avdullah Hoti dhe kryeshefit ekzekutiv të Korporatës Financiare Amerikane për Zhvillim Ndërkombëtar (DFC), Adam Boehler, ka gjasë të dështoi bashkë me tërë përkrahjen për infrastrukturën e gazit natyror. /Demokracia.com/