Lajme
Kurti: I hapëm rrugën një procesi të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë
Demokracia
21:58 | 13 Tetor 2021

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka bërë një përmbledhje të vendimeve që Qeveria e Kosovës mori gjatë ditës së sotme.

Përmes një statusi në Facebook, Kurti ka thënë se sot i kanë hapur rrugën një procesi të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë së shtetit tonë, duke iu referuar procesit të vettingut.

Statusi i tij i plotë:

Edhe një hap drejt Vettingut, Majlinda – qytetare me merita të veçanta, zgjerim i rrugës për Shalën dhe Bajgorën, udhëheqje të reja profesioniste në disa ndërmarrje publike, e shumë vendime të tjera

Në mbledhjen e sotme, të 39-tën, të Qeverisë së Republikës së Kosovës, miratuam 34 vendime.

I hapëm rrugën një procesi të rëndësishëm për forcimin e drejtësisë dhe demokracisë së shtetit tonë.

Grupi punues, i themeluar nga Ministria e Drejtësisë, e i përbërë nga përfaqësuesit e gjyqësorit dhe prokurorisë, shoqëria civile dhe ekspertët e fushës, kanë hartuar Koncept Dokumentin dhe kanë propozuar metodologjinë e mbarëvajtjes së procesit të Vetingut, përmes votimit të amendamenteve kushtetuese, që do lejonin hapësirë të mjaftueshme për hartimin e Ligjit për Vettingun.

Duke konsideruar që edhe pasqyra aktuale ligjore lejon hapësirë për mbarëvajtje të procesit të vettingut, përmes plotësim-ndryshimit të ligjeve relevante, Grupi Punues ka propozuar si mundësi të dytë, realizimin e procesit të vettingut përmes ndryshimeve ligjore.

Si përgjigje ndaj efekteve të pandemisë, aprovuam projektligjin lidhur me financimin e Reagimit të Kosovës ndaj pandemisë COVID-19 për Ndërmarrjet e Vogla dhe të Mesme.

Meqenëse sasitë e kontraktuara me Pfizer prej 1.2 milion vaksinave mbulojnë nevojat për vaksinimin të 60% të popullatës, autorizuam Ministrinë e Shëndetësisë për negocimin e vaksinave shtesë, deri në imunizimin e plotë të popullatës, respektivisht në përfundimin e emergjencës shëndetësore.

Amandamentimi i marrëveshjes se Grantit me BE do të krijojë mundësinë që Kosova t’i bashkohet Portës Hyrëse të Certifikatës Digjitale COVID të BE–së.

Përmes rregullores së miratuar sot përshpejtohet vlerësimi i ligjshmërisë së akteve komunale, e cila ka një rëndësi të veçantë si për Komunat ashtu edhe për jetën e qytetarëve.

Qytetarëve të Mitrovicës do t’u lehtësohet qarkullimi dhe realizimi i të drejtave të tyre me vendimin e sotëm për përfundimin sa më të shpejtë të ndërtimit të Rrugës Nacionale Prishtinë-Mitrovicë. Ndërsa me zgjerimin e rrugës ekzistuese në fshatin Bajgorë, do t’u lehtësojë qarkullimin qytetarëve dhe bizneseve në drejtim të Shalës së Bajgorës.

Ndamë mjete financiare për bashkëfinancimin e shtatë projekteve kapitale në komuna, në fushat e infrastrukturës dhe mjedisit, bashkë me UN Habitat-in.

Miratuam dy nisma për projektin që ka për objektiv kryesor ndërtimin e rrjetit të integruar të kanalizimeve në Mitrovicë.

Nga sot Majlinda Kelmendi është qytetare me merita te veçanta. Kjo është një njohje institucionale shtesë për arritjet e Majlindës por edhe të Kosovës në sportin e xhudos dhe për ndërtimin e imazhit pozitiv të vendit tonë.

Bëmë hapin e parë drejt pjesëmarrjes së Kosovës në programin “Evropa Kreative”, një platforme e shkëlqyer e mundësive për fuqizimin e krijimtarisë se komunitetit tonë kulturor.

Me qëllim të reformimit dhe përmirësimit të politikave dhe asistencës sociale drejt familjeve në nevojë, i hapëm rrugë “Projektit të Reformës së Sistemit të Ndihmës Sociale në Kosovë”.

Për integrimin e të rinjve në tregun e punës, aprovuam vendimin për themelimin e Komisionit Ministror për Skemën e Garantuar për të Rinjë.

Për të mundësuar prodhim dhe furnizim të rregullt me energji elektrike, Korporatës Energjetike të Kosovës iu mundësua zgjerimi i mihjes sipërfaqësore për nxjerrjen e thëngjillit.

Iniciuam për Kuvend 7 projektligje ne fushat e sigurisë, prodhimit e industrisë, bujqësisë e zhvillimit rural. Ndërsa me vendime të veçanta aprovuam pesë nisma për marrëveshje ndërkombëtare.

Për të mundësuar punën e vazhdueshme të ndërmarrjeve publike, emëruam Borde të përkohshme në KRU “Hidroregjioni Jugor, Sh. A. Prizren” dhe KRU “Bifurkacioni Sh. A. Ferizaj”. Emëruam anëtarin e katërt te Bordit te përkohshëm në Ndërmarrjen Publike Hidroekonomike “Ibër Lepenc”, Sh. A.

Ndërsa bazuar në të gjeturat nga hulumtimet dhe analizat e kryera në terren nga IKShP-ja dhe Autoriteti Rregullator për Shërbimet e Ujit (ARRU) shkarkuam Bordin e KRU “Hidrodrini Sh. A. Pejë” për të kthyer besimin e qytetareve ndaj Ndërmarrjes dhe ndaj sistemit të furnizimit me ujë në atë zonë. /Demokracia.com/

Të ngjashme