Lajme
Kurti 666: “Dialogu prioriteti numër 6”, “6 kushtet për Zajednicën” dhe “6 kapitujt e dialogut”
Demokracia
21:02 | 02 Shkurt 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, pak para se të vinte në pushtet kishte deklaruar se dialogu me Serbinë nuk është prioritet i tij kryesor, mbase mund të jetë i gjashti.

Kur erdhi në pushtet, Kurti nga prioriteti i gjashtë e ktheu në të parin dhe tërë kohën e tij po ia kushton këtij procesi dhe çështjeve që kanë të bëjnë me serbët.

“Sipas të gjitha matjeve të opinionit, dialogu me Serbinë nganjëherë janë prioriteti i gjashtë e ndonjëherë i shtati. Kurrë s’janë tri të parat. Unë duhet t’i përgjigjem qytetarëve”, tha ai.

Por, duket se Kurti në raport me Serbinë e ka një numër të preferuar, gjashtëshin.

Ai deri më tani ka hartuar dy plane 6-pikëshe me çështje që lidhen me Serbinë, shkruan Demokracia.com.

Hiç më larg se sot, Kurti ka thënë në Kuvendin e Kosovës se do ta themelojë Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, por për ta bërë këtë ai ka paraqitur gjashtë kushte.

Këto janë gjashtë kushtet e përmendura nga Kurti:

Duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Asociacioni nuk mund të jetë njëetnik, duhet të ndërrojë emrin, nuk mund të ketë bord dhe duhet t’i shërbejë vetëm bashkëpunimit horizontal të komunave sipas Ligjit për vetëqeverise lokale.

Të drejtat e pakicave kombëtare dhe mekanizmat mbrojtës përkatës duhet ta ngërthejnë parimit e reciprocitetit ndërmjet dy shteteve respektive.

Para vendosjes së Asociacionit, strukturat ilegale në veri shuhen dhe bëhet dorëzimi i të gjitha armëve ilegale.

Asociacioni është pjesë e marrëveshjes finale dhe zbatohet pas njohjes reciproke.

Presidenti i Serbisë i tërheq letrat e dërguara te pesë shtetet për mospranimin e Republikës së Kosovës për në BE.

Albin Kurti edhe në takimet në Bruksel me presidentin serb Aleksandër Vuçiq, kishte paraqitur një plan 6-pikësh për kornizën e përgjithshme që do të duhej të përfshinte marrëveshja mes dy vendeve.

Sipas Kurtit, këto pika nuk u shoqëruan me kontribut pozitiv nga pala serbe.

“Fatkeqësisht ky elaborim i imi nuk u shoqërua me kontribut pozitiv nga pala tjetër e cila në vend të ideve ka nxjerre vetëm konstatimin që nuk janë të interesuar për normalizim të plotë por për hapa të vegjël e gradual”, tha Kurti.

Gjashtë kapitujt e kornizës së përgjithshme që ka prezantuar Kurti:

Në kapitullin e parë do të duhej të definonte njohjen reciproke dhe anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.

Në kapitullin e dytë duhet të trajtojmë ballafaqimin me të kaluarën, ku hyjnë personat e zhdukur me dhunë, viktimat e dhunës seksuale, dëmet materiale, kthimi i dokumentacioneve etj.

Në kapitullin e tretë për neve e ardhmja është bashkëpunimi që duhet të ketë katër liritë e dala nga procesi i Berlinit, pra liria e kapitalit, njerëzve, mallrave dhe shërbimeve.

Në kapitullin e katërt ne ofrojmë trajtimin e të drejtave të pakicave respektive, përfshirë si për serbët në Kosovë, ashtu edhe për shqiptarët në Serbi.

Në kapitullin e pestë duhet të rikonsiderojmë marrëveshjet e deritashme por jo me idenë e rinegocimit të tyre siç është plasuar dezinformata nga pala tjetër, por të shqyrtimit të asaj që cilat këto marrëveshje janë pranuar nga pranimi i marrëveshjes finale e cilat duhet të vazhdojnë të implementohen.

Kapitulli i gjashtë duhet të vendosë qartë mekanizmat për zbatimin e marrëveshjes dhe zgjidhjen e mosmarrëveshjeve eventuale.

Por, Kurti i vazhdoi bisedimet edhe pa respektimin e këtyre gjashtë pikave dhe mbetet të shihet nëse do ta themelojë Zajednicën, pa iu plotësuar gjashtë pikat e sotme. /Demokracia.com/

Të ngjashme