Lajme
Kurti “humbet” nëpër tempujt grek| Në vend që t’i qajë hallet e Kosovës, ai që disa ditë po merret me problemet e globit
Demokracia
20:51 | 12 Korrik 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka një javë që nuk gjendet në Kosovë ndonëse qytetarët po përballen çdo ditë me rritje të çmimeve të produkteve esenciale për jetë.

Vizitën e tij në Greqi, vend që nuk e njeh Kosovën, Kurti e nisi më 5 korrik ku mori pjesë në tryezën vjetore të “The Economist”, për ta vazhduar më pas në simpoziumin Symi.

Kurti sipas një njoftimi të Qeverisë të lëshuar të hënën ka marrë pjesë në simpoziumin Symi, që është mbledhje që mbahet një herë në vit, me mendimtarë globalë që ndjekin traditën e filozofëve antikë grekë.

Symi mbledh së bashku individë me mendime të ndryshme, prejardhje të ndryshme, intelektualë, politikanë, laureatë të Nobelit, sipërmarrës, diplomatë, shkencëtarë dhe aktivistëve për të diskutuar disa nga çështjet më të ngutshme të kohës sonë. Ajo u mbajt për herë të parë në 1998, në ishullin Symi, i cili që atëherë i ka dhënë emrin Simpoziumit, shkruan Demokracia.com.

Kjo është hera e pestë që kryeministri i Kosovës merr pjesë në këtë simpozium, përkatësisht hera e dytë prej kur e mban pozitën e kryeministrit.

As sot kur kanë kaluar fiks një javë Kurti nuk është parë në Kosovë, por po qanë hallet e botës, duke neglizhuar krizën në Kosovë.

Ai duket se po e shijon shoqërinë e përzgjedhur të cilët janë mbledhur prej 10 korrikut në edicionin e 24-të që këtë vit po mbahet në “Tempullin e Neptunit” e që do të zgjas deri më 14 korrik.

Vendi dhe data e mbajtjes janë publike në faqen e Symit, shkruan Demokracia.com.

Në njoftimin e Zyrës së Kryeministrit, u tha se në ditën e parë të simpoziumit, kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë: Strategjia e re për shtyrjen përpara të hyrjes në BE të Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”.

Në diskutimin e tij, kryeministri theksoi të arriturat në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe demokratikë, si rezultat i stabilitetit institucional.

Ai tha se Kosova është storie e dyfishtë suksesi.

“Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit, ndërsa në anën tjetër, siç u shpreh kryeministri, është storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative”, citohet të ketë thënë ai.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Evropian, kryeministri shprehu besimin që rruga më e mirë përpara është me Procesin e Berlinit, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Scholz.

Kryeministri Kurti theksoi se BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë.

Edhe vitin e kaluar kur Kosova po përballej me pandeminë e koronavirusit, Kurti i shoqëruar nga bashkëshortja e tij ka marrë pjesë në punimet e këtij simpoziumi.

 

Në Symi po merr pjesë edhe deputeti i Vetëvendosjes, Haki Abazi.

 

 

Të ngjashme