Lajme
Kurti, Gërvalla dhe shefi i GEN-it “bashkohen” në Bled të Sllovenisë
Demokracia
13:38 | 25 Gusht 2023

Share:

Albin Kurti dhe Donika Gërvalla e kanë konfirmuar praninë e tyre në forumin dyditor të Sllovenisë, që zhvillohet në qytezën turistike pranë liqenit të Bledit, në fund të këtij muaji.

Kryeministri Kurti dhe ministrja Gërvalla gjatë punimeve të këtij samiti do të kenë mundësi ta takojnë edhe shefin e kompanisë së shumëpërfolur GEN, shkruan Demokracia.com.

Në faqen e këtij forumi është lajmëruar se pjesë e tij do të jetë edhe Dejan Paravan, shef i GEN Sllovenia.

Ka kohë që mediat në Slloveni kanë vluar me raportimet për ambasadorin e Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj, meqë diplomati kosovar dyshohet si i përfshirë në një skandal të shpëlarjes së parave përmes kompanisë së tij të regjistruar në Mal të Zi. Siç raportonin mediat në Slloveni, Berishaj dyshohej se kishte marrë 600 mijë euro nga dega e GEN-it në Beograd dhe se të njëjtat kishin përfunduar në “cash” tek politikani slloven, Robert Golob.

Ndryshe, më forumin e Bled-it do të marrin pjesë krahas kryeministrave Rama e Kurti edhe presidenti serb Vuçiç, kryeministri maqedonas Kovaçevski dhe presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel. Aty do të flitet krahas bashkëpunimit rajonal edhe për çështjet e sigurisë dhe anëtarësimin në BE. /Demokracia.com/

Të ngjashme