Lajme
Kurti fut “hundët” në prokurori e gjyqësi, më herët thoshte “kur pushteti ekzekutiv ndërhyn në punët e drejtësisë, s’ka demokraci e drejtësi”
Demokracia
21:21 | 08 Shtator 2022

Share:

Kryeministri Albin Kurti ka ditë që ka nisur sulmet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve të Kosovës.

Ai në një status të para pak ditëve, ku fajësonte dhe sulmonte sistemin e drejtësisë, tha se shteti nuk mund të bartë koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve.

“Është bërë kohë e gjatë me drejtësi selektive e të pabarabartë, barra e rëndë e së cilës bie mbi supet e viktimave, kryesisht gra dhe vajza. Mosndëshkueshmëria ndaj dhunuesve e edhe ndaj atyre që po i sjellin këto vendime, është e papranueshme. Shoqëria dhe shteti ynë nuk mund të bartin koston e mospunës dhe papërgjegjësisë së prokurorëve e gjyqtarëve”, tha ai, përcjell Demokracia.com.

Edhe kur e paraqiti idenë e vetingut, Kurti kishte vërejtje e ankesa të shumta.

Por, në programin e partisë së tij për shtetin e së drejtës, thuhet se aty ku pushteti politik ekzekutiv ndërhyn në punët e drejtësisë, nuk ka demokraci dhe drejtësi.

“Shteti i së drejtës është shtet i transparencës. Gjithçka funksionon dhe organizohet sipas rregullave të cilat artikulojnë dhe mbrojnë interesin e njerëzve, prandaj qytetari ndjehet i sigurt karshi ndërhyrjes arbitrare të pushtetit. Në anën tjetër, meqë vetë pushteti udhëhiqet nga ligjet dhe u bindet atyre, institucionet politike i nënshtrohen një sistemi të ndërvarësisë dhe kontrollit. Ato duhet të jenë të përgjegjshme dhe të japin llogari para popullit, aty ku ato e marrin legjitimitetin e ushtrimit të autoritetit të tyre politik. Ne mendojmë që parimi i ndarjes së pushteteve e garanton pavarësinë e tyre dhe funksionimin adekuat të demokracisë. Aty ku pushteti politik ekzekutiv ndërhyn në punët e drejtësisë, nuk ka demokraci dhe drejtësi. Aty ku qeveria nuk i zbaton ligjet e miratuara të legjislativit, nuk ka shtet të së drejtës”, thuhet në alternativën që partia e tij kishte dhënë për shtetin e së drejtës.

Kurti i akuzonte qeveritë e kaluara se shpeshherë qëndrojnë mbi ligjin.

Por, e vetmja gjykatë ku Kurti nuk dëshiron të përzihet është Gjykata Speciale.

Vetëm në rastin e gjykimit të krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ai nuk përzihet, edhe pse edhe Specialja është gjykatë e themeluar nga Kuvendi i Kosovës. /Demokracia.com/

Të ngjashme