Lajme
Kurti flet për vizitën në Greqi: Pata takime me liderë përtej Ballkanit Perëndimor
Demokracia
18:33 | 22 Gusht 2023

Share:

Me ftesë të Kryeministrit të Greqisë, Kyriakos Mitsotakis të hënën dhe të martën kryeministri Albin Kurti qëndroi në Athinë për të marrë pjesë në darkën me liderët e shteteve të Ballkanit Perëndimor.

Në këtë qëndrim në Greqi, Kurti u takua dhe bashkëbisedoi me homologë e partnerë edhe përtej Ballkanit Perëndimor.

“Para e pas saj, përgjatë dy ditëve zhvillova takime dypalëshe me Kryeministrin e Kroacisë, Andrej Plenkovic, Presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe Kryeministrin e Greqisë, Kyriakos Mitsotakis. Ndërkohë që në pritje të darkës u përshëndeta me Presidentin e Ukrainës, Volodymyr Zelensky dhe bashkëbisedova me Kryeministrin e Bullgarisë, Nikolai Denkov dhe Presidentin e Këshillit Evropian, Charles Michel”, ka njoftuar Kurti në Facebook.

Në darkën që shënonte edhe 20-vjetorin e Samitit të Selanikut, u ritheksua edhe një herë mbështetja për zgjerimin dhe anëtarësimin në Bashkimin Evropian si dhe rruga përpara.

Në prezencën e Presidentit të Ukrainës, Zelenskyy u konfirmua mbështetja e palëkundur për Ukrainën dhe u bë thirrje për përgjegjësi dhe ndëshkim të krimeve të kryera gjatë luftës nga agresori rus.

Përveç liderëve të Ballkanit Perëndimor, të pranishëm ishin Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, kryeministri i Kroacisë, Andrej Plenkovic, kryeministri i Rumanisë, Marcel Ciolacu, kryeministri i Bullgarisë, Nikolai Denkov, dhe Presidentja e Moldavisë, Maia Sandu.

Të ngjashme
Lajme • 01 Maj 2024