Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka marrë pjesë në hapjen virtuale të kampit ndërkombëtar veror “Edu Camp“ 2021, në të cilin po marrin pjesë mbi 100 nxënëse dhe nxënës nga Gjermania, Kosova, Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
Nëpërmjet një komunikate për medie nga zyra e kryeministrit bëhet e ditur se Kurti ka thëne që mision i tyre është që së bashku të përmirësojnë vazhdimisht sistemin arsimor, përcjell Demokracia.com.
“Progresi që po përjetojmë sot është bërë i mundur vetëm falë dijes. E shkollat dhe universitetet janë vendi ku prodhohet dija. Pikërisht për shkak se progresi është i lidhur ngushtë me dijen, ne besojmë se e drejta për t’u shkolluar është universale dhe si e tillë duhet t’u garantohet të gjithëve pa dallim. Prandaj edhe kemi marrë vendimin që edukimi publik në Kosovë në të gjitha nivelet të jetë falas,” citohet të ketë të thënë Kurti.
Në komunikatat thuhet se duke falënderuar organizatorët, mësuesit dhe ligjëruesit nga Kosova dhe Gjermania, kryeministri vlerësoi programet si ky kamp, pasi ndihmojnë të rinjtë të zhvillohen jo vetëm si individë, por edhe ta kuptojmë rolin në shoqëri.
“Është misioni ynë që së bashku të përmirësojmë vazhdimisht sistemin tonë arsimor, të ofrojmë mbështetje aktive dhe të krijojmë të gjitha kushtet në mënyrë që fëmijët dhe të rinjtë tanë të arrijnë potencialin e tyre të plotë, “ citohet të ketë thënë më tej Kurti./Demokracia.com/