Lajme
Kurti ekzaltohet me Vuçiqin| Takimin Thaçi-Daçiq e krahasoi me aneksimin e krahinës së Çekisë nga Gjermania naziste
Demokracia
14:25 | 05 Maj 2022

Share:

Më 19 tetor 2012 u mbajt takimi i parë në kuadër të dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, asokohe në mes të kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit dhe kryeministrit të Serbisë, Ivica Daçiq.

Takimi që po konsiderohej historik nga liderët botërorë ishte kundërshtuar ashpër nga Lëvizja Vetëvendosje, me protesta që u cilësuan si dhunë ndaj shtetit, raporton Demokracia.com.

Asokohe në opozitë, Albin Kurti kishte deklaruar se takimi Thaçi-Daçiq ishte takim kriminal.

Kurti kishte shkuar edhe më tutje, duke thënë se një takimi i tillë paraqet dhunë ndaj shtetit dhe se ishte e pa tolerueshme që Kosova të mos i vendoste kushte Serbisë.

“Dhunë kundër shtetit të Kosovës ka qenë takimi Thaçi-Daçiq. Pra ky takim kriminal paraqet dhunim të Republikës sonë dhe pikërisht për shkak se bënë këso dhune ndaj shtetit, kryeministri Thaçi nuk mund ta përfaqësojë dhe nuk mund të flasë në emër të Republikës sonë. Ju e dini që Gjermania ia ka dhënë shtatë kushte Serbisë dhe SHBA-ja i ka dhënë katër kushte Serbisë. Nuk po hyjë aty se sa janë të mjaftueshme këto kushte, mirëpo është e patolerueshme që Qeveria e Kosovës të mos i vë asnjë kusht Serbisë”, kishte thënë Kurti në tetor të vitit 2012, raporton Demokracia.com.

Veç kësaj, lideri i LVV-së e kishte krahasuar këtë takim me një takim tejet të rëndë të vitit 1938 në Munih.

“Takimi Thaçi-Daçiq është edhe më i rëndë se takimi i kryeministrit britanik Neville Chamberlain në vitin 1938 në Munih, ku ai u dakordua që një krahinë e Çekisë t’i aneksohej Gjermanisë naziste”, kishte thënë Kurti.

Tash si kryeministër, pa i vendosur asnjë kusht Serbisë, Kurti të mërkurën pozoi i buzëqeshur në një tavolinë me presidentin serb Aleksandar Vuçiq.

Politikani që erdhi në pushtet me kundërshtimet ndaj dialogut Kosovë-Serbi, që kritikoi secilin takim mes palëve të të dyjave vendeve, dje i buzëqeshur darkoi me Vuçiqin.

Fotografitë e tij krahas Vuçiqit janë bërë virale në rrjetet sociale dhe një numër i madh i komenteve nga qytetarët e Kosovës janë kritika ndaj Kurtit.

Ndryshe, darka joformale mes Kurtit, Vuçiqit dhe Lajçakut u mbajt në vilën Borsig në periferi të Berlinit dhe zgjati disa orë.

Para kësaj, Kurti u pa edhe me kancelarin gjerman, Olaf Scholz, i cili ishte edhe iniciator i takimit Kurti-Lajçak-Vuçiq./Demokracia.com/

Të ngjashme