Në demonstrimin retorik të radhës, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, lëshoi një stuhi kritikash me nënkuptime ndaj dikujt prej ndërkombëtarëve. Ndonëse nuk përmendi emra, Kurti duket se e vuri në shënjestër pikërisht Richard Grenellin, të emëruarin e Donald Trump për Misione të Posaçme – si njeriu i vetëm që dha vështrime ndaj fushatës zgjedhore të kreut të qeverisë.
Gjatë tubimit të tij në Pejë, Kurti e shënjestroi gjithashtu opozitën për atë që ai e konsideron një përpjekje për të gjetur mbështetje ndërkombëtare kundër tij.
“Kjo opozita shpreson së brendshmi te pazarët mas partive. Opozita shpreson edhe të ndonjë ndërkombëtar i cili lodhet kur e sheh Kosovën në këtë ekuacion gjeopolitik, thotë pse me humbë kohë me ta. Mirëpo, ky soj opozite e lypë fatin me qiri te ndonjë ndërkombëtar i cekët, e jo në thellësinë historike të kombit tonë ku gjithmonë gjendjen zgjidhjet më të mira për popullin tonë.” – tha Kurti.
Ai akuzoi liderët e partive opozitare se po kërkojnë mbështetje nga zyrtarë amerikanë për ta sulmuar atë politikisht.
“Me shku në Amerikë me lyp zyrtarë për me i mëshu kryeministrit Kurti, kjo po thotë diçka për mu, për të cilën unë s’jam i vetëdijshëm. Prandaj, me datën 9 shkurt, këta ish-qeveritarët që po dojnë me u kthy, i çoni në pakthim.” – tha Kurti, shkruan Nacionale.
Kritikë të ngjashme Kurti bëri edhe dje në Prizren, nga ku i dha tri ‘optika’ kundrejt vetes gjatë kësaj fushate zgjedhore.
“Ndërkombëtarët po na vështrojnë me llupë, Serbia me dylbi, kurse ne do ta shohim veten në pasqyrë”, tha ai.
Deklarata të tilla nga kreu i qeverisë vijnë në dritën e një demantimi nga Richard Grenell – i emëruari i Donald Trump për Misione të Posaçme – ndaj deklaratës se “kurrë nuk kanë qenë më të mira marrëdhëniet Kosovë – ShBA se sa gjatë qeverisjes time”.
Grenell në “X” kishte reaguar menjëherë të nesërmen se “është absolutisht e rreme” ndërsa u bëri thirrje qdtetarëve kosovarë që “mos u mashtroni”.
“Kurti ka qenë gjithashtu kundër çdo ideje amerikane të ofruar nga presidentët Clinton, Bush, Obama, Biden dhe Trump. Retorika e përdorur nga Kurti tani, duke pretenduar se është i afërt me SHBA-në dhe më mirë se të gjitha qeveritë e tjera të Kosovës, është absolutisht e rreme. Mos u mashtroni. “Kam shumë miq në Kosovë dhe Shqipëri…dhe shumë miq në Serbi dhe në mbarë rajonin. Administrata Trump ka punuar dhe do të vazhdojë të punojë drejt paqes për të gjithë në Ballkan. Por ne kemi nevojë për partnerë të besueshëm.” – ka shkruar ai në rrjetin social “X”.
Postimin e Grenellit e shpërndau edhe djali i presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA), Donald Trump Jr.