Lajme
Kurti e quajti “bazë e mirë”, por pika e 7-të e planit franko-gjerman i jep serbëve kompetenca ekzekutive për Zajednicën
Demokracia
16:44 | 15 Dhjetor 2022

Share:

Franca dhe Gjermania u kanë dhënë liderëve të Kosovës dhe Serbisë një propozim për të zgjidhur mosmarrëveshjet e kahershme ndërmjet dy shteteve.

Deri më sot, për këtë plan është folur kryesisht në media dhe kanë qarkulluar disa versione të tij.

Demokracia.com kishte publikuar draft-kornizën e parë të propozimit franko-gjerman, e cila përmbante nëntë pika të propozuara. Mirëpo, në asnjërën prej tyre nuk përmendej njohja eksplicite ndërmjet dy shteteve. Po ashtu, në këtë draft-propozim, fare nuk figuron Organizata e Kombeve të Bashkuara dhe procesi i anëtarësimit të Kosovës aty.

Deri më tani janë publikuar disa drafte të këtij propozimi, të cilin Qeveria e Kosovës e ka pranuar parimisht, shkruan Demokracia.com, por asnjëri nuk e përmban njohjen e ndërsjellt ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një prej versioneve të fundit të këtij plani, shumë shqetësuese për Kosovën duket të jetë pika e shtatë e tij që parasheh edhe një nivel të tretë të qeverisjes.

Kjo pikë thotë se se të dyja palët janë të përkushtuara për arritjen e marrëveshjeve konkrete, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke përdorur përvojat ekzistuese evropiane, në mënyrë që të sigurojnë një nivel të duhur të vetëqeverisjes për komunitetin serb në Kosovë dhe mundësinë e ofrimit të shërbimeve në disa fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e ndihmës financiare nga Serbia dhe kanalet e drejtpërdrejta të komunikimit ndërmjet komunitetit serb dhe Qeverisë së Kosovës.

Në bazë të këtij formulimi, i bie që të formohet një Asociacion i Komunave me Shumicë Serbe, jo më si OJQ, por me kompetenca ekzekutive.

Formimi i Asociacionit apo bashkësisë së komunave me shumicë serbe është obligim ndërkombëtar për Kosovën, por si do të duhej të dukej ky Asociacion, bazuar në ligjet dhe Kushtetutën e Kosovës?

Njohësit e kushtetutës në vazhdimësi kanë theksuar që Asociacioni i komunave me shumicë serbe, në asnjë mënyrë nuk duhet të krijohet si strukturë ekzekutive e pushtetit dhe duhet tërësisht të jetë brenda kornizës së sistemit kushtetues të Republikës së Kosovës dhe legjislacionit për pushtetin lokal.

Kosova e ka të rëndësishme që në statutin e Asociacionit të përcaktohen prerazi kompetencat e Asociacionit që kanë të bëjnë kryesisht me koordinimin e politikave komunale në mes të komunave me shumicë serbe. Njëkohësisht, duhet të caktohen nivelet e mbikëqyrjes së Asociacionit, pra tre nivele.

Niveli i parë duhet të jetë Qeveria e Kosovës, e cila duhet ta sjell dekretin për themelimin e Asociacionit.

Niveli i dytë duhet të jetë Ministria e Pushtetit Lokal, e cila edhe sipas detyrës aktuale i monitoron komunat.

Niveli i tretë duhet të jetë Gjykata Kushtetuese, e cila e ka fuqinë e anulimit të çdo akti apo vendimi kundërkushtetues të këtij mekanizmi.

Çfarë tha Kurti për planin franko-gjerman? 

Albin Kurti e ka quajtur “bazë të mirë” planin franko-gjerman, ndonëse zëvendësi i tij Besnik Bislimi kishte deklaruar se më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë.

Kurti thotë se e ka pranuar, por Vuçiq e ka refuzuar e tani po bën “drama”.

Ky është rrëfimi i kryeministrit Kurti, të cilin e shpjegon në mënyrë kronologjike.

“Gjithçka nisi më 18 gusht”, thotë kryeministri Kurti, pasi vendosi ta tregojë qëndrimin e tij rreth propozimit franko-gjerman. Jo shumë javë më parë, vetë ai e kishte mohuar ekzistencën e një propozimi të tillë e më pas ka thënë se “s’ka asgjë të ngurtësuar”. Por, ai më pas tha se propozimi i ashtuquajtur franko-gjerman është një “bazë e mirë”. Megjithatë, qëndrimin e parë për propozimin nga Parisi e Berlini e kishte bërë zëvendësi i Kurtit.

Besnik Bislimi gjatë paraqitjes së tij në një konferencë të mbajtur në Beograd, në të cilën ishte paraqitur nëpërmjet internetit pasi serbët nuk e kishin lejuar të shkonte aty, kishte thënë se ky propozim më shumë i afrohet qëndrimit të Serbisë.

Para se të vinte te kjo, kryeministri Kurti thotë se ngjarjet në veri të vendit, me serbët që po i braktisin institucionet e Kosovës, kanë origjinë te mospranimi i propozimit franko-gjerman nga presidenti serb, Aleksandër Vuçiq.

“Unë e thash shumë qartë, nuk është për të mos e pranuar, por për ta maskuar refuzimin e planit. Pra, ata [pala serbe] e kanë refuzuar planin, e kanë refuzuar propozimin. Dhe, tani i bëjnë këto drama.”, ka thënë Kurti, përcjell Demokracia.com.

Për planin franko-gjerman, kryeministri thotë se është i bazuar në vlera.

“Ne e kemi parë si hap në drejtimin e duhur, meqenëse ato nocionet që përdorën, janë vlera. Për dallim prej dakordimeve të mëhershme, që ishin përbrenda – le ta quajmë – ideologjisë së zgjidhjeve të problemeve”.

Për propozimin që ka marrë emrin si “franko-gjerman”, diplomatët amerikanë dhe evropianë kanë nisur të flasin haptazi. Kështu, Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian, Joseph Borell, rishtas tha se plani i ishte dorëzuar Kosovës dhe Serbisë para verës.

“Para verës ne ua prezantuam planin të dyja palëve Serbisë dhe Kosovës në mënyrë që të tejkalojmë krizën permanente. Kemi kërkuar një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve mes tyre dhe u jam shumë falënderues Gjermanisë dhe Francës për këtë propozim. Kemi marrë përgjigje nga të dyja palët, po i studiojmë dhe ky është një rast i mirë që ata duhet ta shfrytëzojnë në mënyrë që raportet mes Prishtinës dhe Beogradit të bëhen më normale le të themi”, tha Borell.

Por, Kurti pikënisjen e kësaj çështjeje e konsideron në një moment tjetër. Ai thotë se gjithçka nisi më 18 gusht, kur ai u takua me presidentin serb Aleksandër Vuciq në Bruksel.

“Tash jemi tek vlerat dhe unë e kam vlerësuar këtë propozim si hap në drejtimin e duhur. Gjithçka ka filluar më 18 gusht, kur në takimin në Bruksel, në kuadër të agjendës, pika e parë është korniza e përgjithshme e marrëveshjes”.

Këtu nuk lë pa zhvlerësuar paraardhësit e tij politikë. Kurti është i bindur se deri para 18 gushtit “nuk kemi pasur dialog për marrëveshje”.

Udhëheqësi i qeverisë kosovare thotë se më 9 shtator, dy javë pas takimit i erdhën në zyrë dy këshilltarë; njëri i kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe tjetri i presidentit francez Emmanuel Macron, për t’ia sjellë një “përmbledhje modelesh e idesh”.

Atë përmbledhje, Kurti thotë se e ka pranuar, nuk e ka refuzuar, ndonëse ka pasur disa vërejtje dhe kritika, të cilat ua ka shprehur përfaqësuesve franko-gjermanë.

“Më 9 shtator, ende pa u bërë një muaj, patën ardhur në zyrën time këtu, këshilltarët e lartë të kancelarit Scholz dhe presidentit Macron. Ata kanë sjellë përmbledhje të ideve, të modeleve, të cilat unë nuk i kam refuzuar, po u kam thënë se janë bazë e mirë”, ka thënë Kurti.

Sipas kryeministrit, propozimi franko-gjerman është refuzuar nga Vuçiqi, pas një mbledhjeje që e ka pasur ai me Këshillin për Sigurinë Kombëtare të Serbisë.

Si pasojë, Kurti beson se Vuçiq po e manifeston refuzimin me projektim të destabilizimit të Kosovës.

Sipas kryeministrit, thirrjet për largim të qytetarëve serbë nga vendet e tyre të punës në institucionet publike të Kosovës nuk rrjedhin nga mospranimi i konvertimit të targave, as nga qortimet për to e as nga shkarkimi i komandantit të Policisë Rajonale të Mitrovicës, Nenad Gjuriq, që refuzoi ta zbatojë vendimin e qeverisë.

Gjithçka, sipas tij, rrjedh nga mospranimi i planit franko-gjerman nga Serbia. /Demokracia.com/

Të ngjashme