Lajme
Kurti e pranon që LVV dështoi në zgjedhjet e fundit lokale
Demokracia
14:05 | 23 Tetor 2022

Share:

Sot gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, Kurti ka folur edhe për zgjedhjet e fundit lokale, ku VV fitoi vetëm katër komuna.

Rezultatet e këtyre zgjedhjeve, Kurti i ka quajtur “moment jo fort të mirë”.

Ai tha se për këtë ka diskutuar gjatë mbledhjeve në Këshillin e Përgjithshëm, në mbledhjet me qendrat e VV-së dhe në kryesi.

Kurti tha se kanë bërë “vetëkritikë e kritikë” dhe se kanë punuar “drejt zgjidhjes së problemeve”.

“Natyrisht, ka pasur edhe momente jo fort të mira, siç ka qenë p.sh., performanca në zgjedhjet lokale sa i përket komunave që udhëheqim, meqenëse ne i fituam për kryetarë vetëm katër sosh. Gjilanin me Alban Hysenin, Besianën (Podujevën) me Shpejtim Bulliqin, Shtimen me Qemajl Aliun dhe Kamenicën me Kadri Rrahimajn. Për këto ne kemi diskutuar gjatë në mbledhjet e KP, në mbledhjet me qendrat e Lëvizjes sonë, në kryesi të VETËVENDOSJE!-s kemi bërë vetëkritikë e kritikë, dhe kemi punuar drejt zgjidhjes së problemeve. Pikërisht duke patur ndërmend forcimin e organizatës dhe rritjen e pjesëmarrjes demokratike, kemi punuar për themelimin dhe funksionalizimin e dy organizatave të reja që tash e tutje do të funksionojnë brenda LVV. Ato janë Gratë për VETËVENDOSJE!, me në krye Albulena Haxhiun, dhe Rinia për VETËVENDOSJE! me në krye Behar Jasharin. Jo për të krijuar ndonjë hapësirë të veçantë për gratë e për të rinjtë ndaras prej Lëvizjes, por vetëm si çelës që ata të jenë prezentë gjithnjë e më shumë në të gjitha nivelet dhe strukturat e Lëvizjes VETËVENDOSJE!. Sepse sot, meqë ra fjala, ende nuk kemi një numër të mjaftueshëm grash e të rinjsh edhe në këtë Këshill të Përgjithshëm. Kjo gjë megjithatë do të rregullohet shpejt, pikërisht si rezultat i punës së GVV dhe RVV”, tha ai.

Të ngjashme