Lajme
Kurti e përshkruan gjendjen si një gazetar, nuk tregon a do t’i ndihmojë njerëzit që vërshimet ua humbën pasurinë
Demokracia
15:40 | 22 Janar 2023

Share:

Kryeministri Albin Kurti i pa vetë sot pasojat e vërshimeve që kanë prekur disa komuna të vendit. Në dy prej tyre, Skenderaj dhe Mitrovicë, Kurti ishte sot bashkë me dy ministra.

Kurti në një postim në rrjetin social “Facebook”, e ka përshkruar gjendjen nga vërshimet si një gazetar, duke thënë se në këto dy komuna ka dëme të konsiderueshme materiale, përfshirë infrastrukturën publike, bujqësinë e blegtorinë.

Megjithatë, Kurti nuk ka treguar nëse Qeveria do t’ju dal në ndihmë familjeve që kanë pësuar dëme nga këto vërshime.

Postimi i plotë i Kurtit, pa ndërhyrje:

Në Skënderaj dhe Mitrovicë isha sot bashkë me ministrat Mehaj e Krasniqi, dhe zëvendësministrat Gashani e Dobra. Duke ju falenderuar angazhimit dhe solidaritetit të të gjithëve me njëri-tjetrin nuk kemi jetë të humbura nga vërshimet. Ka dëme të konsiderueshme materiale: janë dëmtuar ndërtesa e infrastrukturë publike, shtëpi banimi, ferma bujqësore e biznese. Në Skënderaj janë rrënuar ose dëmtuar nëntë ura të vogla kurse në Llaushë vizituam një fermer të cilit i janë mbytur mbi 10 mijë pula. Nëpër muret e ndërtesave kishte ngelur lart vija e gjurmës deri ku kishte arritur përmbytja ndërkaq brigjet e deformuara të lumenjve si dhe arat rrotull janë përplot bërllog. Vërshimi në fshatin Lisicë të Mitrovicës, sipas banorëve, është pasojë e shtyrjes për afër 300 metra të rrjedhës së lumit Ibër si rezultat i ndërtimit të stadiumit në pjesën veriore të qytetit. Ibri e Sitnica janë bërë bashkë dhe janë shndërruar në liqe. Ka jo pak kafshë të ngordhura, andaj edhe rrezik për epidemi. Pas takimeve me kryetarët e këtyre dy komunave, Fadil Nurën dhe Bedri Hamzën, vizituam bashkë disa vendbanime të përmbytura.

Pjesëtarët e FSK-së e të policisë, zjarrfikësve dhe ndërmarrjeve publike u kanë shpërndarë ushqim, veshmbathje e batanije, barna e pako higjienike, familjeve të evakuuara. Qeveria dhe komunat po punojnë bashkë në mbështetjen e qytetarëve dhe tejkalimin e kësaj situate. /Demokracia.com/ 

Të ngjashme