Lajme
Kurti e Peci bëjnë sfilatë nëpër ara, Kosova nuk e ka të sigurt bukën
Demokracia
10:43 | 06 Korrik 2022

Share:

Kosova as këtë vit nuk do të arrijë t’i plotësojë nevojat e popullatës për ushqim nga rendimentet e grurit. Mungesën e grurit e ka konfirmuar edhe vet ministri Faton Peci. Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Të sigurta për këtë vit janë veç 260 mijë ton.

Korrje-shirjet e grurit edhe këtë vit kanë nisur me fotografi nga kombajna.  Traditën që kryeministri e ministri të dalin në ara e kanë vazhduar edhe Albin Kurti e Faton Peci.

Por, derisa këto sfilata bëhen arave të Kosovës, qytetarët duket se edhe këtë vit do të kenë telashe që të sigurojnë bukën e gojës.

Tokat e mbjella me grurë nuk po e mbulojnë kërkesën e qytetarëve.

Këtë fakt e ka pranuar edhe vet ministri Peci në një deklarim për media.

Nevojat e tregut në Kosovë, sipas ministrit Peci, do të përmbushën rreth 73 për qind. Pjesa tjetër duhet të mbulohet me import.

“Fillimisht janë pritur rendimente më të larta, por më vonë disa të reshura kanë ulur këto parashikime. Rendimentet priten të jenë nga 4.000 deri në 4.500 kilogramë, për një hektar.  Nevojat e tregut në Kosovë do të përmbushën rreth 73 për qind, kjo edhe sipas vlerësimeve të ekspertëve. Nevojat e Kosovës janë për rreth 400 mijë ton grurë, kurse Kosova pritet të siguroi mbi 260 mijë ton grurë”, ka deklaruar ai në RTK.

Rritja edhe e çmimit të derivateve të naftës dhe tregu jo i sigurt, ka bërë që fermerët të mos jenë shumë entuziastë të merren me bujqësi.

Faton Peci ka thënë se sigurimi i i ushqimit është një temë që po e preokupon tërë globin.

“Në kuadër të angazhimeve tona, si Ministri edhe si Qeveri, kemi tentuar të japim maksimumin, brenda mundësive dhe kapaciteteve buxhetore, që të rrisim nivelin e subvencioneve”, tha ai.

LEXO EDHE: 

Beteja për bukën, Peci: Kosova siguron 73 për qind të nevojave me grurë

Edhe  përfaqësues të Federatës së Bujqve dhe njohës të fushës së bujqësisë po vlerësojnë se në rritja e çmimeve ka lënë edhe tokat pa punuar.

Një paralajmërim të frikshëm e ka dhënë ditë më parë edhe profesori universitar, Imer Rusinovci, duke thënë se ky vit do të jetë i vështirë për bujqësinë në Kosovë.

“Është një vit që po përballemi edhe sot e kësaj dite më pasojat e Covid-it është që u përballem me shtrenjtimi enorme të imputeve në përgjithësi e plehrave minerale në veçanti. Është një vit që janë shumë aktuale ndërrimet klimatike, është një vit që shpërthej konflikti ndërmjet Ukrainës dhe Rusisë nga pika e të cilit tregtoheshin rreth 15 për qind të ushqimit botëror dhe në këtë konstalacion, kujtoj që viti do të jetë i vështirë”, u shpreh Rusinovci.

Për dallim nga vitet e kaluara, Rusinovci thotë se këtë vit nuk pritet të këtë prodhim më të lart të grurit, për arsye se produktet bazike kanë pasur një çmim jashtëzakonisht të lartë.

Edhe Instituti GAP në një analizë të publikuar ka treguar se Kosova po vazhdon të importojë grurë e miell nga vendet  botës.

Gjatë vitit 2021, Kosova ka importuar mbi 84% të grurit dhe 89% të misrit nga Serbia në vlerë rreth 19 milionë euro dhe 11 milionë euro, respektivisht. Ndërsa me fillimin e luftës në Ukrainë, Serbia ka vënë ndalesë për eksportin e vajit, miellit, misrit, dhe grurit në vendet tjera. Mirëpo, nga të dhënat e Doganës së Kosovës, vetëm në tre muajt e parë të vitit 2022, Kosova ka importuar mbi 5.6 milionë euro grurë nga Serbia dhe atë pjesa më e madhe është (mbi 3.5 milionë euro) importuar gjatë muajit mars. Po ashtu, Kosova ka importuar rreth 4 milionë euro misër gjatë TM1 2022, ku mbi 89% është e importuar përsëri nga Serbia.

Edhe gjatë këtij viti, Kosova ka importuar grurë nga Kroacia dhe Hungaria, mirëpo në vlera më të vogla, rreth 700 mijë euro nga të dyja këto së bashku. Ngjashëm nga këto tri vende janë importuar dhe misër në vlerë rreth 441 mijë euro gjatë TM1 2022.

Muaj ma parë një siguri për qytetarët lidhur me grurin dhe bukën e pati dhënë ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari duke thënë se deri tani nuk ka vështirësi për import të grurit dhe miellit.

“..Ne po ashtu po veprojmë edhe me rritjen e rezervës shtetërore në 10 milionë euro. Dhe rezerva është jo më për çështje ditësh, por për çështje muajsh. Deri më tash kemi siguruar mjaftueshëm, por edhe në korrik vijnë kultivuesit tonë grurit dhe ofrojnë edhe më shumë për rezervën shtetërore”.

Që Kosova të mbulojë një pjesë të madhe të nevojave bujqësore, Qeveria pati ndarë 5 milionë euro për subvencionimin e naftës së bujqve.

Edhe pse nuk ka të dhëna zyrtare publike nga institucionet, sa i takon sasisë së grurit, në Shoqatën e Mullisëve të Kosovës, patën thënë se sasia e grurit në dispozicion mbulon nevojat për më së shumti tre muaj.

Kërkesa për grurë për kokë banori në Kosovë sillet rreth 200 kilogramë, ose në total rreth 400 mijë tonë grurë në vit. Sasia e saktë, lloji i produktit dhe vendndodhja e mallrave që janë në kuadër të rezervave shtetërore nuk dihet.

Ato konsiderohen ‘sekret shtetëror’ sipas Ligjit për rezervat shtetërore.

Rezervat menaxhohen nga Departamenti i rezervave shtetërore, që funksionon në kuadër të Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë (MINT). /Demokracia.com/

Të ngjashme