Lajme
Kurti e mbron edhe Martin Berishajn, i cili pranoi mijëra euro nga GEN-i serb
Demokracia
21:46 | 27 Qershor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, e ka justifikuar edhe skandalin rajonal financiar, ku u përfshi ambasadori Martin Berishaj.

Kurti ka thënë të hënën në “Syri TV”, se nuk ka kurrfarë korrupsioni.

“Nuk ka kurrfarë korrupsioni, përkundrazi do të ketë kallëzim penal e sqarim në gjykatë për shpifje të tilla. Ajo ishte pjesë e një fushate në Slloveni, ku kryeministri i hupi zgjedhjet dhe ajo e përfshiu ambasadorin e që nuk ka të bëjë asgjë as me të, as me Kosovën”, ka thënë Kurti.

Megjithatë, Kurti dhe asnjë prej “mbrojtësve” të ambasadorit Berishaj nuk po e thonë asnjë fjalë pse ai ka pranuar qindra mijëra euro nga kompania GEN-I me seli në Beograd, në emër të shërbimeve këshillimore.

Ndryshe, muaj më parë televizioni slloven, Planet TV, raportoi se rreth 600 mijë euro para cash janë bartur prej Malit të Zi për në Slloveni nga ambasadori i Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj. Ky i fundit thuhet se ka pasur rolin e “mushkës” apo transportuesit të parave.

Në xhirollogarinë e MB Consulting, kompani në pronësi të Berishajt e regjistruar në Mal të Zi, nga GEN-i dega në Serbi janë derdhur në baza të rregullta prej 5 mijë deri në 50 mijë euro për çdo muaj, raporton Demokracia.com.

Ky televizion ka raportuar se një pjesë e dokumentacionit të siguruar tregon se ngjarja në fjalë është shtrirë në vitet 2019 dhe 2020.

Pagesat ishin kryer nga dega për Serbi e GEN-I (kompani energjetike) te kompania private MB Consulting në Mal të Zi, me të cilën kompania ka marrëveshje për këshillime.

Të ngjashme