Lajme
Kurti e kurthoi në dialog integrimin evropian të Kosovës me Zajednicën
Demokracia
09:51 | 28 Shkurt 2024

Share:

Përparimi i Kosovës në rrugën e integrimit evropian është i ndërlidhur drejtpërdrejtë dhe në mënyrë të pashmangshme me zbatimin e Marrëveshjes Bazë [Bruksel, 27 shkurt 2023] dhe Aneksin e zbatimit [Ohër, 18 mars 2023], të arritura në dialogun Kosovë – Serbi dhe të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian e me mbështetjen e fuqishme të SHBA-ve.

Në qendër të këtyre dokumenteve të dakorduara nga kryeministri Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, qëndron edhe Zajednica apo Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe, e cila është forcuar me Vetëmenaxhimin (neni 7), që doli si rezultat ekskluziv i dialogimit trevjeçar të Kurtit e që po vlerësohet pothuajse nga të gjithë si një rrugë e hapur për autonominë politiko-territoriale të serbëve në Kosovë, shkruan Demokracia.com.

Së fundmi, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka bërë paralajmërmin e radhës nga kryeqendra evropiane, se Kosova dhe Serbia nuk do të përparojnë drejt BE-së nëse nuk i zbatojnë marrëveshjet e arritura.

27 SHKURT 2024 – BE PARALAJMËRON KOSOVËN DHE SERBINË: NUK KA PËRPARIM DREJT BE-së NËSE S’I ZBATONI MARRËVESHJET

Në komunikimin e së mërkurës me mediat, më 27 shkurt 2024, Zëdhënësi i BE-së, Peter Stano, ka dhënë dy lajme të rëndësishme për Kosovën dhe Serbinë.

Së pari, Bashkimi Evropian është duke i parë me syrin e njëjtë të dy vendet, Kosovën dhe Serbinë, si përgjegëse për përparimin e kufizuar në zbatimin e marrëveshjeve.

“BE-ja shpreh keqardhje për përparim të kufizuar në zbatimin e Marrëveshjes, i cili mund t’u atribuohet të dyja palëve”, tha Stano në një deklaratë dhënë Radios Evropa e Lirë.

Së dyti, REL citon Stanon të ketë thënë se Kosova dhe Serbia nuk mund të përparojnë në rrugën drejt anëtarësimit në BE, nëse nuk bëjnë përparim në zbatimin e marrëveshjes së vitit të kaluar për normalizimin e marrëdhënieve, si dhe të gjitha marrveshjet tjera të arritura në kuadër të dialogut.

Deklarata e Stanos është vazhdimësi e qëndrimit të BE-së për çka janë dakorduar edhe kryeministri Kurti dhe presidenti serb Vuçiq në marsin e vitit të kaluar.

18 MARS 2023 – BE: MARRËVESHJA DHE ANEKSI BËHEN PJESË INTEGRALE E PROCESIT TË INTEGRIMIT

‘Integrimi’ dhe ‘Dialogu’ janë procese të ndërlidhura sipas pikës 2 të Aneksit të Ohrit [18 mars 2023] për zbatimin e Marrëveshjes Bazë të Brukselit [27 shkurt 2023] e arritur vullnetshëm mes Kurtit dhe Vuçiqit.

“Palët e kanë parasysh se Marrëveshja dhe Aneksi i zbatimit bëhen pjesë integrale e proceseve përkatëse të anëtarësimit të Kosovës dhe Serbisë në BE. Palët e kanë parasysh se, menjëherë pas miratimit të Marrëveshjes dhe këtij Aneksi, ndërmjetësuesi i BE-së do të fillojë procesin për t’i ndryshuar standardet e Kapitullit 35 për Serbinë, për t’i konsideruar detyrimet e reja të Serbisë, që rrjedhin nga Marrëveshja dhe Aneksi”, thuhet në pikën 2 të Aneksit të Ohrit.

Deri më tani nuk ka ndonjë reagim zyrtar nga Qeveria e Kosovës pas paralajmërimeve të BE-së, por më 14 shkurt 2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për mediumin prestigjioz amerikan Bloomberg, kishte deklaruar se nuk mund të fillojë me themelimin e Asociacionit nën argumentin se Serbia po e shpërfill marrëveshjen.

“Në këto rrethana, për mua bëhet jashtëzakonisht e vështirë të vazhdoj më tej në një proces ku pala tjetër nuk e përfill marrëveshjen dhe madje shkon aq larg saqë dërgon një letër në të cilën deklaron se nuk e respekton më atë”, deklaronte Kurti. /Demokracia.com/

Të ngjashme