Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar aktivistin Lëvizjes Vetëvendosje, Astrit Deharin ku “vrasjen” e tij e ka krahasuar me vrasjen e aktivisteve shqiptarë gjatë viteve të 1990 nga Serbia.
“Ka qenë një filozof i shquar danez, Soren Kierkegaard, i cili shkruante se “kur vritet një diktator, regjimi i tij përfundon, e kur vritet një idealist, rendi i tij fillon”. Vrasja e qindra idealistëve në burgjet e Kosovës e jashtë saj, para luftës, apo në fushëbeteja gjatë luftës, solli rendin e tyre që e ka emrin liri. Ndërkaq vrasja e Mon Balajt e Arben Xheladinit dhe e Astrit Deharit, pas luftës, i shtuan lirisë sonë një rend edhe më të lartë, atë të demokracisë e të drejtësisë. Në dy dekadat e para të këtij shekulli, Kosova ndonëse vend i çliruar, nuk konsiderohej vend demokratik dhe as me sundim të ligjit”, ka thënë Kurti.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka thënë se drejtësinë për Astritin “mund të vonojë e mund të pengohet, nga jashtë e nga brenda sistemit”
“Kurrë nuk duhet harruar, se pa sakrificën sublime përballë padrejtësisë, nuk vjen drejtësia. Fakti se Kosova ka djem e vajza, aktiviste e aktivistë, shoqe e shokë të Astritit, na jep siguri se drejtësinë do ta kemi. Ajo mund të vonojë e mund të pengohet, nga jashtë e nga brenda sistemit, por nuk do të harrojë e nuk do të harrohet”, ka shtuar ai.
Gjatë ditës Kurti ka marrë pjesë në homazhe për aktivistin, Astrit Deharin, i cili sipas Kurtit “është mbytur në burg, ku mbahej padrejtësisht e për arsye politike, shtatë vjet më parë”.
Kurti, Astrit Deharin, e ka kujtuar si një student të shkëlqyer të mjekësisë, e me rezultate shumë të larta.