Lajme
Kurti e harron vlerën e popullit, mban fshehur përgjigjen për propozimin franko-gjerman
Demokracia
18:17 | 02 Nëntor 2022

Share:

Propozimi franko-gjerman pritet të jetë njëra prej temave të Samitit të Berlinit, i cili mbahet nesër më 3 nëntor.

Në këtë samit pritet që kryeministri Albin Kurti të japë edhe qëndrimin e tij për marrëveshjen gjithëpërfshirëse Kosovë-Serbi, të cilën ai e negocioi fshehurazi nga qytetarët.

Por, përveç që negocioi fshehurazi arritjen e ujdisë me Serbinë, Kurti as para nisjes për në Berlin nuk e mbajti asnjë konferencë për të qartësuar qytetarët se çka po diskuton për fatin e vendit, shkruan Demokracia.com.

Madje, as nuk është raportuar koha se kur do të udhëtoj dhe për qytetarët nuk është bërë asgjë transparente.

Këtë e konfirmoi gjatë ditës së djeshme edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi. Ai tha se kryeministri Albin Kurti do të jetë në Berlin, ku do ta ketë mundësinë që në detaje të informojë Kancelarin e Gjermanisë dhe Presidentin e Francës, për qëndrimin e palës kosovare për këtë propozim.

“Ditën e enjte, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, do të jetë në Berlin, ku do të nënshkruhen tri marrëveshje të rëndësishme në Procesin e Berlinit. Mendoj që aty do ta ketë mundësinë që pastaj në detaje ta informojë kancelarin gjerman Olaf Scholz dhe presidentin e Francës, Emmanuel Macron, i cili pritet të jetë në Berlin, për atë se cili është qëndrimi i palës kosovare për këtë propozim”, tha Bislimi.

Edhe Deutche Welle raportoi se në Samitin e Procesit të Berlinit, Franca dhe Gjermania pritet të shtojnë presionin diplomatik mbi Kosovën e Serbinë për propozimin e tyre për normalizim të marrëdhënieve.

Sipas raportimit të DW, në adresë të Kosovës dhe Serbisë priten të dëgjohen mesazhe të qarta.

Gjermania dhe Franca aktualisht po bëjnë presion diplomatik që dy vendet të pajtohen me propozimin e tyre për normalizimin e marrëdhënieve.

“Sot nuk ka më vend për konflikte të tilla, me potencial shpërthyes, siç është ai midis Kosovës dhe Serbisë”, tha zyrtari për DW.

Sipas tij, këto janë pritshmëritë e qarta edhe të presidentit francez Emmanuel Macron dhe kancelarit gjerman Olaf Scholz.

“Status quoja është e papranueshme. Nuk mund të vazhdohet kështu që statusi të kthehet në ‘mollë sherri’ për çdo çështje”. Sipas tij, kjo është arsyeja edhe pse Gjermania dhe Franca kanë dalë me një plan konkret për dialogun.

Sipas presidentit të Serbisë, Vuçiq, ai parashikon që Serbia, pa pasur nevojë të njohë shtetësinë e Kosovës, të hapë rrugë për anëtarësimin e Kosovës në institucione ndërkombëtare, sidomos OKB dhe në këmbim të marrë përfitime ekonomike dhe një anëtarësim më të shpejtë në BE./Demokracia.com/

Të ngjashme