Lajme
Kurti e Gërvalla e lënë Ambasadën në Uashington vetëm me 4 diplomatë, ndërsa Serbia i ka 13
Demokracia
12:36 | 04 Shkurt 2023

Share:

Marrëdhëniet mes Kosovës dhe ShBA-së, thënë më së buti, nuk po i shijojnë ditët më të mira. Tashmë është i njohur “ftohja” mes kryeministrit Albin Kurti dhe amerikanit Gabriel Escobar. Por raportet mes Amerikës dhe Serbisë janë më të mirat ndonjëherë në këto 30 vite. ShBA-ja, përfshirë sekretarin Blinken e Escobarin, kanë dhënë lëvdata publike për “qasjen konstruktive” të Serbisë dhe presidentit serb Aleksandar Vuçiq.

Në një raport të Ilir Dugollit, ambasador i Kosovës në Uashington, vërehej “frika” nga “brutaliteti amerikan”. Aty theksohej edhe mungesa e stafit vendor dhe problemet e tjera logjistike, përfshirë rrezikun që Ambasada e Kosovës të mbetej jashtë Uashingtonit, për shkak të buxhetit të vogël të ndarë nga Qeveria Kurti për blerjen e një objekti në kryeqendren amerikane.

Por duket se asgjë nuk ka ndryshuar nga koha kur Dugolli raportonte. Sipas uebfaqes së Ambasadës së Kosovës në Uashington, aktualisht në këtë kryeqendër janë vetëm katër anëtarë të stafit diplomatik (së bashku me ambasadorin Dugolli). Përveç ambasadorit Dugolli, në stafin diplomatik janë edhe 3 persona: Bujar Maxhuni, ministër këshilltar, Berat Shala, atashe i mbrojtjes dhe Lulzim Krasniqi, atashe policor. Sipas uebfaqes, në aspektin politik Kosovën në Uashington e përfaqësojnë aktualisht vetëm 2 persona: ambasadori Dugolli dhe diplomati Maxhuni, që është ministri këshilltar.

Në Ambasadën e Kosovë në ShBA mungojnë sekretari i parë dhe i dytë i Ambasadës.Madje, edhe në Ambasadën e Kosovës në Shqipëri, sipas uebfaqes së MPJD-së, ka më shumë staf diplomatik. Gjithsej aty janë pesëdiplomatë, një më shumë se në ShBA.

Por krejt ndryshe është në Ambasadën e Serbisë në Uashington. Serbia ka gjithsej 12 anëtarë në stafin diplomatik, plus ambasadorin Marko Gjuriq, i cili është i 13-ti diplomatëi Serbisë në Uashington.

E problemet me staf i ka përmendur sot edhe Meliza Haradinaj-Stublla, ish-ministre e Punëve të Jashtme. Në fakt, zonja Haradinaj i ka përmendur dallimet e mëdha në staf në Ambasadën e Kosovës dhe atë të Serbisë në Uashington, kryeqendrën më të rëndësishme në botë.

“Ndërkohë ne vazhdojmë të kemi pritje të larta për raportin Kosova dhe ShBA & gjejmë fajtorët kuturu, të ndalemi të vlerësojmë përpjekjen e punën tonë në këtë drejtim. 1) Stafi diplomatik në Ambasadën tonë në Ëashington (Amb + 3), ndërsa në ambasadën e fqinjit verior (Amb + 12)” – shkroi ajo.

Kujtojmë që z. Dugolli ishte ankuar edhe për pozitën e tij si ambasador, duke i shkruar ministres Donika Gërvalla, se për disa arsyeje nuk ka dashur ta pranojë këtë post.

Megjithatë, Dugolli shkruante në raportin e tij se vazhdon ta konsiderojë si privilegj këtë pozitë të rëndësishme në diplomacinë kosovare.

“Përkundër faktit që shumë nga ato arsyeje vazhdojmë të shpërfaqim në baza ditore, kam bërë përpjekje që të këtë besim ta trajtoj si nder të veçantë dhe që me përkushtim maksimal të përmbushi gjithë çfarë është e mundur.” – shkruante Dugolli./nacionale

Të ngjashme