Presidentja Vjosa Osmani dhe kryeministri Albin Kurti sot në Paris u takuan me presidentin francez Emmanul Macron, i cili para tyre e takoi edhe presidentin serb Aleksandar Vuçiq.
E një takim me Vuçiqin e shpresoi edhe kryeministri Kurti, shkruan Demokracia.com.
Ndonëse samiti kishte nisur ditë më parë, Kurti mbrëmë u nis shpejt e shpejt dhe nëpërmjet një videoje në Facebook, tha se ndoshta do të takohej edhe me Vuçiqin.
“Të enjten, herët në mëngjes do të nisem për Paris për të marrë pjesë në Forumin e Paqes, bashkë me gruan time Ritën, e me ftesë të Presidentit Francez Emmanuel Macron. Përveç punimeve dhe darkës përgjatë këtij forumi prestigjioz, ndoshta mund të ketë edhe një takim trilateral me Presidentin e Serbisë i cili po ashtu është ftuar atje. Unë me vete do të kem ekipin tim gjashtëanëtarësh nga kryeministria”, ka thënë Kurti mbrëmë.
Por, deri më tani ky takim nuk ka ndodhur, shkruan Demokracia.com.
Vetë Vuçiq ka thënë se nuk beson se do të takohet me Kurtin në Paris. Pas takimit me presidentin francez, ai para gazetarëve në Paris tha se ka ekzistuar mundësia që takimi të ndodhë, mirëpo tashmë nuk beson më, duke mos dhënë më shumë detaje.
Kurti dhe Vuçiqi po marrin pjesë në Forumin e Paqes, me ftesë të presidentit francez.
Vuçiq gjithashtu tha se presidentit francez ia ka përcjellë “zhgënjimin e popullit serb, sepse ajo që ishte premtuar nuk u realizua”.
“Nuk ka arsye për të qenë optimist me Prishtinën. Macronit i thash se ne po kërkojmë vetëm targa neutrale ndaj statusit, siç është në marrëveshje”, tha Vuçiq.
Ai, po ashtu, deklaroi se i ka treguar presidentit francez se cilat janë kushtet për kthimin e serbëve në institucionet e Kosovës, pa treguar detaje. “Por, ne nuk e dimë se çfarë do të ndodhë më pas”, ka shtuar Vuçiq, duke iu referuar kërkesës së Serbisë që Kosova të formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Kosova dhe Serbia kanë arritur marrëveshje për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në vitin 2013. Më 2015, palët kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi Parimet për formimin e këtij Asociacioni. Po atë vit, Gjykata Kushtetuese ka konstatuar se disa pika të kësaj marrëveshjeje nuk janë në harmoni me frymën kushtetuese dhe se ato duhet të harmonizohen. Por, Kurti ka deklaruar disa herë se është kundër formimit të ndonjë asociacioni një-etnik.
Zyrtarë nga Kosova dhe Serbia kanë udhëtuar drejt Francës, në mes të krizës në veri të Kosovës, pasi pjesëtarët e komunitetit serb dhanë dorëheqje nga institucionet e Kosovës.
Qeveria e Kosovës më 1 nëntor nisi të zbatojë planin e saj për riregjistrimin e makinave me targa të paligjshme serbe, me gjithë insistimin e mëhershëm të komunitetit ndërkombëtar që ta shtyjë këtë plan.
Kosova kërkon që ato të zëvendësohen me targa RKS, apo Republika e Kosovës. Plani i saj parashihet të zbatohet në tri faza: e para, qortimi i shoferëve; e dyta, dënimi i shoferëve me 150 euro gjobë, dhe e treta, shpërndarja e targave provuese.
Shumica e serbëve në veri, të mbështetur nga Beogradi zyrtar, e kundërshtojnë planin, duke insistuar në targa neutrale ndaj statusit të Kosovës.
Në shenjë kundërshtimi ndaj zbatimit të tij, serbët e veriut kanë dhënë dorëheqje nga institucionet e Kosovës. /Demokracia.com/