Lajme
Kurti e akuzon Vuçiqin se po e shkel marrëveshjen evropiane: U zotua se e kundërshton anëtarësimin e Kosovës në OKB
Demokracia
16:39 | 01 Mars 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, po e shkel marrëveshjen evropiane.

Kurti ka deklaruar kështu në ‘Twitter’, duke iu referuar deklaratës së tij për kundërshtimin e anëtarësimit të Kosovës në Organizatën e Kombeve të Bashkuara (OKB), shkruan Demokracia.com.

I njëjti ka thënë se kjo gjë bën shkelje të pikes katër të marrëveshjes evropiane.

“Presidenti i Serbisë u zotua mbrëmë se do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo do të përbënte një shkelje të qartë të Artit. 4 të propozimit të BE-së. Normalizimi i marrëdhënieve është i mundur vetëm nëse të dyja palët negociojnë në mirëbesim. Serbia me sa duket ka vendosur të mos e bëjë këtë”, ka deklaruar shefi i ekzekutivit kosovar.

Pika katër e planit franko-gjerman precizon se “Serbia nuk do të kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”.

Vuçiq ka deklaruar dje se nuk do ta njohë Kosovën dhe nuk do e lejojë anëtarësimin e Kosovës në OKB.

“Por çështjet kyçe që kanë të bëjnë me Kushtetutën e Shtetit të Serbisë, siç e kam thënë pa mëdyshje kudo, nuk flitet për njohje, as për Kosovën në OKB.  Prandaj as që kam nënshkruar asgjë”, ka theksuar ai dje. /Demokracia.com/

Të ngjashme