Në një intervistë të dhënë për televizionin serb N1, tri vjet më parë, kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti që aso kohe ishte lider i Lëvizjes Vetëvendosje, Oliver Ivanoviqin e quante kriminel lufte.
Mirëpo, tri vjet më pas, në përvjetorin e vrasjes së Ivanoviqit, Kurti në cilësinë e kryeministrit ka thur lavde për politikanin serb të veriut të Kosovës.
“Zoti Ivanoviq ka marrë pjesë në luftë si pjesëtarë i forcave serbe dhe pas luftës ka qenë udhëheqës i ‘Rojave të Urës’, por mendoj se ai para disa viteve ka filluar të merret si i pavarur me politikë në Kosovë dhe ka filluar që mos ta dëgjojë më Beogradin”, thoshte Kurti për N1, dhe pyeste se “si është e mundur që mos të sqarohet vrasja e Ivanoviqit ku në pjesën veriore ka më së shumti kamera për metër katrorë”.
Ai tutje shtonte se ishte i zhgënjyer edhe me drejtësinë kosovare, atë të EULEX-it dhe KFOR-it për mos zbardhjen e rastit të vrasjes së Ivanoviqit.
“Ju për Oliver Ivanoviqin keni thënë se është kriminel lufte, dua t’ju pyes se ku e bazoni këtë që e keni thënë dhe si mund të thoni ashtu për dike që nuk jeton më”?, ishte pyetja e gazetarit serb, derisa Kurti pohonte me kokë.
“Në një far mënyre këtë e ka thënë Bernard Kushneri në librin e tij ‘Luftëtarët e Paqes’ dhe mendoj se Bernard Kushneri e ka njohur mirë situatën pasi që ishte shef i UNMIK-ut aso kohe. Ai (Ivanoviqi) ka marrë pjesë në ‘Rojet e Urës’, ka marrë pagë nga Serbia dhe e dimë se çfarë kanë bërë ata (Rojat e Urës). Ata i kanë dëbuar shqiptarët nga shtëpitë e tyre…”, thoshte Kurti. /Demokracia.com/
Deklaratën e Kurtit për Ivanoviqin mund ta gjeni nga minuta e 29-të e kësaj interviste: