Lajme
Kurti diskuton me eurodeputetët për anëtarësimin e Kosovës në BE
Demokracia
22:43 | 12 Dhjetor 2022

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, me ftesë të deputetit të Parlamentit Evropian, Lukas Mandl, nëpërmjet të një lidhjeje direkte iu adresua deputetëve të PE-së, pjesëmarrës në diskutimin me temën: “Aplikimi i Kosovës për anëtarësim në BE: Si do të jetë një sukses për të gjithë Evropën”.

Përmes këtij adresimi kryeministri Kurti u shpreh, mes tjerash, se Kosova është vendi i fundit në Ballkanin Perëndimor që aplikon për anëtarësim.

Tutje ai me këtë rast renditi disa nga arsyet, kryesore të aplikimit e të cilat përputhen edhe me vet titullin e diskutimit.

Sipas tij, vendimi për aplikim në Bashkimin Evropian i përgjigjet thirrjes dhe aspiratave të qytetarëve të Republikës që thellësisht besojnë se e ardhmja e tyre është në Bashkimin Evropian, theksoi kryeministri Kurti.

Ndër të tjera ai shtoi, aplikimi përmbush dhe synon që ta realizojë premtimin e BE-së gati 20 vjet më parë në Samitin e Selanikut, dhe tash së fundmi në Samitin e Tiranës për një proces të përshpejtuar të anëtarësimit.

Më tej, Kurti shprehu besimin se momenti është i duhur duke marrë parasysh faktin se Kosova është vendi më demokratik në rajon.

Siç njofton zyra për informim e Kryeministrisë, Kurti, me këtë rast, falënderoi deputetin e Parlamentit Evropian, Mandl për ftesën dhe mundësinë e dhënë dhe, në të njëjtën kohë, falënderoi Parlamentin Evropian për mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën, si në rastin e liberalizimit të vizave edhe në anëtarësimin në organizata ndërkombëtare, përfshirë këtu Këshillin e Evropës.

Bëhet e ditur se në këtë diskutim pjesëmarrës ishin edhe deputeti i Kuvendit të Republikës së Kosovës, njëherësh Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme, Haki Abazi, Raportuesja e Parlamentit Evropian për Kosovë, Viola Von Cramon dhe nënkryetarja e Komisionit për Politikë të Jashtme, Zeljana Zovko.

Të ngjashme
Lajme • 31 Maj 2024