Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, së bashku me partinë e tij, Lëvizjen Vetëvendosje, në vazhdimësi i kanë mohuar raportimet se Kosova mund të sanksionohet nga ndërkombëtarët pas tensioneve në veri.
Por, zëvendësja e Kurtit, Donika Gërvalla, sot ka folur për raportimet se BE-ja ka përgatitur një pako ndëshkuese për Kosovën, pas qortimeve ndaj autoriteteve në Prishtinë për situatën në komunat veriore.
Kësisoj, ajo konfirmoi se ka pasur diskutime për një çështje të tillë, por u shpreh se akoma nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar prej BE-së në këtë aspekt.
“Sa i përket masave ndëshkuese nga Brukseli, ne nuk kemi, s’kam marrë asnjë letër apo dokument. Ka shumë gjëra që diskutohen, unë e di që ka shumë gjëra për të cilat bisedohen. Ka diskutim mes partnerëve se cila është rruga e duhur dhe ku nuk do të duhej të merreshin masa”, u shpreh ajo gatë një konference për media me kryeministrin Kurti.
“Nuk ka një qëndrim të vendosur të të gjithë partnerëve sesi do të duhej trajtuar Kosova në këtë fazë. Në momentin që kemi diçka zyrtare, do ta ndajë me ju”, shtoi Gërvalla.
Gërvalla ka deklaruar të hënën se partnerët ndërkombëtarë i kanë ndihmuar autoritetet e Kosovës që të realizohet vizita e ambasadorit Jetish Jashari në Beograd, pas rrëmbimit të tre zyrtarëve policorë nga forcat serbe.
Sipas saj, po të ishte në vullnetin e Beogradit zyrtar, as kjo vizitë s’do të realizohej.
Sa i përket “acarimeve” të raporteve mes Kosovës dhe shteteve perëndimore, kryediplomatja kosovare tha se për disa tema ndoshta nuk pajtohen plotësisht. Por, ajo shtoi se ka konsensus për temat që prekin paqen dhe sigurinë afatgjate në Ballkanin Perëndimor.
Për çështjen e njohjeve të reja, Gërvalla u shpreh se Kosova po punon në këtë drejtim.
Ajo theksoi se hera e fundit që ka folur për njohjet e reja ka qenë sot.
“Entuziazëm për njohjet e reja në dy vitet e qeverisë nuk është se kam parë, jemi përpjekur në mënyrat tona. Do të vazhdojmë me këmbëngulje me partnerët tanë të gjejmë rrugët për të realizuar njohjet e reja”, shtoi ajo.
“Njohjet e reja, në fakt, ndonjë entuziazëm i madh përveç pesë shteteve të BE-së, edhe nuk është se mund të pritet nga opinioni. Ato shtete që nuk kanë pasur pengesa për ta njohur Kosovën, e kanë bërë këtë. S’ka pasur entuziazëm kushedi se çka. Dhe nuk është habi që ky entuziazëm nuk do të jetë prezent as gjatë debateve që i kemi gjatë këtyre ditëve. Detyra jonë është të vazhdojmë përpjekjet tona. Sot ka qenë biseda e fundit që kam zhvilluar rreth njohjeve të reja. Nuk ndalemi në atë drejtim”, shtoi ajo. /Demokracia.com/