Lajme
Kurti dhe Osmani s’e duan Kryeprokuror, pse s’u mor ende vendimi për Blerim Isufajn?
Demokracia
17:25 | 25 Korrik 2023

Share:

Presidentja Vjosa Osmani ende po pret. Blerim Isufajn ka thënë se s’do ta dekretojë për Kryeprokuror, por ende s’e ka marrë një vendim. Presidenca paralajmëronte se në fund të prillit do të përmbyllej ky proces i stërzgjatur, por diçka e ka shtyrë edhe më tej vendimin e presidentes Vjosa Osmani.

Kur në Presidencë thanë se po e prisnin fundin e prillit që presidentja Vjosa Osmani të marrë vendim për dekretimin ose jo të Blerim Isufajt si Kryeprokuror, ankesa e një prej kandidatëve e zgjati edhe më shumë këtë proces.

Presidenca tha se ishin njoftuar nga Gjykata Kushtetuese se një kundërkandidat i Isufajt kishte parashtruar kërkesë në gjykatën më të lartë të vendit, me të cilën e kontestonte një aktgjykim të Supremes.

Bekim Kupina, këshilltar për media i Osmanit kishte thënë se pasi të përfundojë trajtimi edhe i kësaj ankese, presidentja do t’i ndërmarrë veprimet e nevojshme në përputhje me detyrimet dhe përgjegjësitë e saj kushtetuese.

Më herët, Kupina kishte thënë se afatet për kontestim të procesit të zgjedhjes së kryeprokurorit do të përfundonin në fund të prillit dhe se “Presidentja do ta marrë vendimin pas shterimit të këtij afati”.

Gjykata Kushtetuese më 4 korrik i ka shpallur të papranueshme kërkesat e dy kandidatëve për kryeprokuror, Shqipdon Fazliut dhe Armend Hamitit, të cilët kishin kontestuar kushtetutshmërinë e vendimit të 6 prillit 2022 të Këshillit Prokurorial të Kosovës për propozimin e Blerim Isufajt në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit.

Nga Presidenca kishin thënë se ishin duke e pritur Gjykatën Kushtetuese, para se kjo gjykatë, si kontrolli më i lartë mbi pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv, ta shpallte vendimin për ankesat e dy kandidatëve që ishin renditur në pozitën e dytë dhe të katërt në garën për kryeprokuror.

Shqipdon Fazliu dhe Armend Hamiti më 28 prill dhe 6 qershor respektivisht iu drejtuan Gjykatës Kushtetuese me pretendimin se vendimi i KPK-së për përzgjedhjen e Blerim Isufajt i kishte shkelur të drejtat dhe liritë e tyre të garantuara me Kushtetutë dhe me Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut.

Kurti ‘garantoi’ se Isufaj s’do të mund të bëhet Kryeprokuror, Osmani pati thënë se s’e dekreton

Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale, Blerim Isufaj ka qenë në qendër të sulmeve nga kryeministri Albin Kurti dhe deputetët e partisë në pushtet pas arrestimit të kryeshefit të Korporatës Energjetike të Kosovës, Nagip Krasniqi në prill, me urdhër të kësaj prokurorie.

Kurti në një seancë të Kuvendit i pati etiketuar prokurorët si kundërshtarë, duke shprehur indinjatën e tij me arrestimin e kryeshefit të KEK-ut. Pati thënë se Isufaj nuk do të mund të bëhet Kryeprokuror.

“Prokurorët që vrasjen ta bëjnë vetëvrasje e vetëvrasjen ta bëjnë vrasje, përkundër vullnetit dhe qëndrimit të presidentes, kryeministrit dhe kryeparlamentarit, duan me çdo kusht, në çfarëdo rrethane, me patjetër të bëhen kryeprokuror. Por nuk do të munden. Nuk do të munden. Jo pse jam unë. Jo pse jeni ju. Por sepse në këtë shtet ka edhe Republikë, edhe popull”, shprehej Kurti. Ai i quajti prokurorët “njerëz të cilët ende nuk janë pajtuar me rezultatin e 14 shkurtit 2021”.

Ndërkaq presidentja Vjosa Osmani, që në fund të tetorit të vitit të kaluar ka thënë se e kishte njoftuar KPK-në që të mos presë dekretim nga ajo, por pa marrë ndonjë vendim.

“Këshilli Prokurorial është i njoftuar dhe atë në takimin e fundit që kemi pasur me ta. Është absurde që të pritet të dekretohet një proces, i cili është duke u kontestuar në gjykatat e Kosovës. Kjo nuk ndodh në një vend ku sundon ligji. E unë jam presidente që e respektoj ligjin dhe kushtetutën”, pati thënë Osmani më 26 tetor 2022.

Osmani e kishte akuzuar Këshillin Prokuorial për “presion të papranueshëm dhe të paligjshëm” mbi të, lidhur me procesin e zgjedhjes së Kryeprokurorit të Shtetit.

KPK më 5 prill ka kërkuar që Osmani ta dekretojë me urgjencë Blerim Isufajn në pozitën e Kryeprokurorit, pasi ishin bërë mbi një vit që kur propozimi i tyre po qëndron pa epilog në Presidencë.

Osmani ishte përgjigjur me një letër dërguar kryesuesit të KPK-së, Jetish Maloku.

“Shpreh kundërshtimin tim ndaj tendencës që përmes interpretimeve të shtrembëruara të vendimeve të gjykatave në lidhje me procedurën e zhvilluar në KPK, të tentohet të vihet në lajthitje opinioni publik dhe institucioni i Presidencës”, thuhet në letrën për të cilën ka raportuar Koha.

Aty Osmani shkruante se e kishte informuar KPK-në se do ta priste “shterimin e të gjitha afateve kushtetuese dhe ligjore” që kandidatët që janë ankuar të marrin përgjigje.

Më 6 prill 2022, Këshilli Prokurorial i Kosovës e votoi unanimisht Blerim Isufajn për ta pasuar Aleksandar Lumezin në pozitën e Kryeprokurorit të Shtetit. Kur Lumezit i përfundoi mandati shtatëvjeçar, KPK e pati caktuar Besim Kelmendin ushtrues detyre të Kryeprokurorit të Shtetit.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian, në veçanti Gjermania, e kishin konsideruar befasuese, zhgënjyese dhe shqetësuese, mënyrën se si Këshilli Prokurorial e kishte zgjedhur Blerim Isufajn për Kryeprokuror të Shtetit.

Tri organizata joqeveritare: Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD), Grupi për Studime Juridike dhe Politike (GLPS) dhe Lëvizja FOL, i kishin kërkuar presidentes që të mos e dekretonte Isufajn, duke e konsideruar propozimin e KPK-së të papranueshëm.

Të ngjashme