Lajme
Kurti dhe ministrat e tij “shtangen” kur lexojnë lajmin e Demokracia.com për dorëheqjen e Albulena Haxhiut nga LVV
Demokracia
12:59 | 27 Janar 2022

Share:

Lajmi i publikuar të enjten nga Demokracia.com i ka lënë “të shtangur” ministrat e Qeverisë Kurti të cilën në seancën ku po diskutohet për masat anti-Covid, janë parë duke e lexuar artikullin për dorëheqjen e Albulena Haxhiut nga Lëvizja Vetëvendosje, për shkak të pagës.

Ka qenë zëvendëskryeministri Bisnik Bislimi i cili i ka treguar diçka ministres së Drejtësisë në telefon, e që duket të jetë artikulli i publikuar ekskluzivisht nga Demokracia.com.

Kjo e fundit fillimisht ka mbetur e shtangur, derisa më pas ka shkuar dhe është ulur në karrigen e saj.

Po ashtu, edhe ministrat tjerë janë parë duke lexuar në telefon diçka, e më pas edhe kryeministri Albin Kurti, raporton Demokracia.com.

Por pas kësaj, Haxhiu është larguar nga seanca e Kuvendit të Kosovës.

Në disa audio-incizime të siguruara nga Demokracia.com përmendet edhe një dorëheqje e mëhershme e një prej figurave kryesore në LVV, e cila tani është Ministre e Drejtësisë. Dorëheqjen nga LVV-ja e pranon edhe vetë Albulena Haxhiu në këtë audio-incizim dhe konfirmon se ky veprim i saj ndërlidhej me pakënaqësitë rreth pagës që merrte në parti.

Albulena Haxhiu, e cila reflektonte plot besim në kauzat që i ndiqte LVV-ja për të ardhur në pushtet dhe tani e udhëheqë një institucion mjaft të rëndësishëm nën qeverisjen e Albin Kurtit, ishte dorëhequr nga LVV-ja në shtator të vitit 2017, pas zgjedhjeve lokale, për shkak të pagës që ia jepte asaj partia.

Këtë e pranon edhe vetë Haxhiu në këtë mbledhje me anëtarët e dorëhequr dhe në audio-incizimin e siguruar nga Demokracia.com dëgjohet duke thënë se dorëheqjen e saj nuk ka dashur ta bëjë publike.

“Po më vjen mirë e para që po mbahet një mbledhje e përbashkët. Për LVV-në as personalisht nuk është e mirë kjo që po e kalojmë. Së pari, nuk i di detajet. Nuk jam munduar t’i di. Nuk është që më kanë lënë përshtypje. Problemin e brendshëm të LVV-së e kam kuptuar gjatë vitit të kaluar edhe sigurisht që pjesë-pjesë… Sot i kemi tri komuna, por nëse do të pyetesha, ma shumë kisha pasur dëshirë të kemi një organizatë të fuqishme sesa këto fitore. Kjo nuk është adresuar atë kohë, pasi ka pasur një marrëveshje të gjerë që këto probleme të adresohen pas zgjedhjeve të qershorit. Në shtator unë kam dhënë dorëheqje, nuk kam qenë pjesë e këtyre skenarëve. Dorëheqjet e fundit janë të orkestruara, po bëhen me plan, me tendencën për të dëmtuar LVV-në. Kjo është e qartë. Ne budallenj nuk jemi. Mënyra sesi çdo ditë shkruhen dorëheqjet, po ashtu nuk pajtohem me disa prej tyre. Momentin që ka dhënë dorëheqje Visari, nënkryetari automatikisht duhet me e pa problem dhe ta thërras mbledhjen e kryesisë. Kjo nuk ka ndodhë. Pas përpjekjes së sekretarit me e kontaktu Dardanin, nuk ka pasur kontakt me të… Dorëheqja ime në shtator nuk ka qenë publike, i kam treguar vetëm kryesisë, as arsyetimin nuk e kam shkruar aty, sepse nuk kam dashur që diçka të dalë jashtë. Nuk kam dashur që çështjet e brendshme të dalin jashtë, ajo ka ardhur pas një vendimi në kryesi për çështjen e pagave”, dëgjohet duke thënë Albulena Haxhiu, e cila atë kohë ishte deputete./Demokracia.com/

LEXO edhe:

Audio-incizime ekskluzive: Albulena Haxhiu ishte dorëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje për shkak të pagës

Të ngjashme