Lajme
Kurti dhe Escobar flasin për ndëshkimin që BE i bëri Kosovës
Demokracia
15:42 | 13 Shtator 2023

Share:

Në prag të takimit të nivelit të lartë që do të mbahet në Bruksel, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka folur në një intervistë për DW duke treguar pozicionin e tij lidhur me çështjet që ndërlidhen me procesin e normalizimit me Serbinë dhe për veriun. Gjithashtu një intervistë në prag të këtij takimi Kurti-Vuçiq e ka dhënë edhe emisari i SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar për Zërin e Amerikës.

Të dy kanë folur për masat që Bashkimi Evropian ka vendosur ndaj Kosovës pas veprimeve të ndërmarra nga Qeveria e Kosovës lidhur me kryetarët e katër komunave veriore.

Kryeministri Albin Kurti iu është referuar këtyre masave si sanksione, ndërkohë që ka pasur edhe një sqarim se pse BE-ja sipas tij po i quan masa.

Sipas Kurtit, nëse do të emëroheshin si sanksione, atëherë BE-ja do të duhej t’i hidhte në votim.

“Por, ata nuk i kanë quajtur sanksione, por i kanë quajtur masa në mënyrë që mos të jenë të detyruar ti votojnë në Bashkimin Evropian. Po t’i hidhnin në votim, jam i bindur që shumica dërmuese e shteteve nuk do të ishin për, por e kanë përdorur një metodë të konsensusit të heshtur me një email që është dërguar nga Brukseli dhe na i kanë vendosur masat”, ka thënë Kurti.

Lidhur me këto masa të Bashkimi Evropian ka folur edhe Gabriel Escobar. Ai ka thënë se edhe pse në Kosovë preferojnë t’i quajnë sanksione, ato në të vërtetë nuk janë të tilla.

“Tashmë po fillojmë t’i shohim pasojat. Megjithëse Kosova i quan sanksione, ato nuk janë vërtet sanksione – masat që BE-ja ka vendosur, për të mos vazhduar me disa nga mekanizmat e anëtarësimit, janë mjaft serioze. Edhe për Serbinë, do të jetë po kështu” ka thënë emisari amerikan.

“ Por, për Kosovën – mundësitë për njohje të reja, për konferencë donatorësh, për dialog strategjik dypalësh me Shtetet e Bashkuara dhe për një marrëdhënie të afërt me NATO-n. Fatkeqësisht, nëse nuk shënojmë përparim, do ta humbim këtë (mundësi) këtë vit. Edhe për Serbinë do të jetë shumë e ngjashme. Bashkimi Evropian do të dëshirojë të shohë shenja më të qarta nga Serbia se është e interesuar ta zbatojë këtë marrëveshje të normalizimit ndërkohë që vendos për përparimin e Serbisë në rrugën e saj drejt integrimit”, ka shtuar ai./Express/

Të ngjashme