Kryetarit të VV-së, Albin Kurti, i është bërë qejfi që kryetarit i Nismës, Fatmir Limaj, është rikthyer në Kuvendin e Kosovës si deputet.
Të paktën kështu është shprehur ai të mërkurën gjatë një interviste për RTK-në.
“Është lajm që Fatmir Limaj, komandant Çeliku siç njihej gjatë luftës, është kthyer në Kuvendin e Republikës,” ka thënë Kurti.
Por, këtë dashamirësi ndaj Limajt dhe partisë së tij Kurti nuk e kishte para 6 viteve.
Në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit të vitit 2019, Kurti dhe partia e tij “luftonte” për ta lënë Nismën dhe Limajn jashtë Kuvendit të Kosovës.
Madje, aso kohe VV-ja i kërkonte Gjykatës Supreme që të pranohet vota e dyshimta nga Serbia në mënyrë që Nisma të mos mund të kalonte pragun zgjedhor prej 5 për qind.
Pas zgjedhjeve të 6 tetorit të atij viti, tre kandidatë për deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje: Enver Haliti, Arta Bajralia dhe Alban Hyseni, ishin ankuar në Gjykatën Supreme, për vendimin e PZAP-së.
Kjo pasi që vendimi i PZAP-së, i cili anulonte votat e ardhura me postë nga Serbia, e mundësoi futjen e koalicionit NISMA-AKR-PD në Kuvend.
Me futjen e këtij koalicioni në Kuvend, VV-ja humbte 3 deputetë.
Sipas rezultateve të zgjedhjeve të 6 tetorit, LVV-ja kishte marrë 221.001 vota (26,270%), LDK e 206.516 vota (24,548%), PDK 178.637 vota (21,234%), koalicioni AAK-PSD 96.872 vota (11,515%), ndërsa koalicioni Nisma-AKR-PD kishte marrë 42.083 vota, apo në përqindje 5,002%.
Me pranimin e votave nga Serbia, të cilat VV-ja kërkonte t`i përfshinte në rezultatin përfundimtar, koalicionin i Nismës binte nën 5 për qind dhe koalicioni i drejtuar nga Fatmir Limaj nuk do të mund të kalonte pragun.