Lajme
Kurti bëhet “pulë” para një diplomateje të shkarkuar, Gërvallën e lavdëroi për “fshesën” në MPJD
Demokracia
21:57 | 26 Mars 2022

Share:

Kryeministri Kurti para disa ditësh e lavdëroi kryediplomatën Donika Gërvalla – Schwarz për largimet nga diplomacia. Por, ai sot u bë “pulë” përballë një diplomateje të shkarkuar nga vetë Gërvalla.

Sot, Kurti, i cili derisa e lavdëronte Gërvallën ditë më parë hiqej sikur të gjitha i dinte, para diplomates së shkarkuar u arsyetua duke thënë  “nuk e di këtë gjë, duhet ta kuptosh”.

“Do të interesohem për çka bëhet fjalë. Do ta shikoj për çka bëhet fjalë”, i thotë asaj në fund Kurti, përcjell Demokracia.com.

Por, kush është kjo ish-diplomate e shkarkuar, të cilës Kurti iu shmang sot, duke u bërë kinse i painformuar?

Demokracia.com ka mësuar se ajo është Bahrije Hoti, motër e dëshmorit të UÇK-së, Fahredin Hoti, njëherësh kushërirë e Ukshin Hotit.

Ajo ishte pjesë e diplomacisë së Kosovës rreth 10 vjet. Në vitin 2013, siç ka mësuar Demokracia.com, Bahrije Hoti ishte emëruar në Konsullatën e Kosovës në Bern.

Pas Bernit, ajo kishte shërbyer edhe në Konsullatën e Kosovës në Shtutgart.

Ajo ishte pjesë e listës së fundit prej 11 personave të shkarkuar në këtë muaj. Për këto shkarkime, Ministria e Punëve të Jashtme dhe e Diasporës kishte thënë se ata janë punësuar pa iu nënshtruar procedurave të rregullta të pranimit në Shërbimin e Jashtëm.

Dëshmori Fahredin Hoti, vëllai i ish-diplomates Bahrije Hoti, njihet si doktor gjatë luftës.

Shtëpia e tij në Krushë të Madhe ishte shndërruar në spital, ku kuroheshin shumë ushtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe civilë nga të gjitha trevat e Anadrinisë e të Malishevës, të cilët gjendeshin të rrezikuar dhe në gjendje të rëndë, pa ilaçe dhe pa ndihma mjekësore. Shtëpia-spital e Fahredinit ishte mobilizuar në 24 orë pandërprerë, ku kishte një numër të madh ndërhyrjesh kirurgjike dhe gjinekologjike, ku si spital brenda një viti ishin të evidentuara mbi 800 lindje.

Në ofensivën e përgjithshme serbe të pranverës së vitit 1999, e cila përfshiu mbarë Kosovën, Dr. Fahredin Hoti, në një spital fushor të improvizuar në kodrat e Krushë së Madhe kishte kryer edhe disa operacione kirurgjike, sidomos për civilët e plagosur.

Në përpjekje për t’i vizituar të strehuarit në pyll ishte goditur nga predhat e ushtrisë serbe i biri i tij, Kreshniku, në moshën katërmbëdhjetë vjeçare. Dashuria për të birin dhe ndjenja e lartë humaniste, nuk e kishte lejuar atë t’i braktiste të plagosurit në asnjë moment. Duke u përpjekur t’i ndihmonte të birit të tij të plagosur rëndë, ai ishte qëlluar edhe vetë nga snajperistët serbë, të cilët kishin rrethuar në çdo anë popullatën e strehuar në pyll. Edhe pse i plagosur, doktor Fahredini nuk ishte dorëzuar. Njeriu që kishte kuruar qindra e mijëra njerëz, u përball i vetëm me plagët e tij vdekjeprurëse, ku kishte ndërruar jetë në përpjekje që t’i operonte plagët e veta, më 26 mars të vitit 1999. /Demokracia.com/

Të ngjashme