Lajme
“Kurthi i Qeverisë Kurti”, LDK: Kosova mbetet me sanksione, s’ka perspektivë për qytetarët  
Demokracia
10:45 | 08 Tetor 2023

Share:

Lidhja Demokratike e Kosovës kërkon të mbahen zgjedhjet parlamentare për ta nxjerrë vendin, siç shprehen nga ky subjekt politik nga kurthi i Qeverisë Kurti. Ky kurth sipas LDK-së, e ka bërë të paqartë perspektivën e vendit për qytetarët.  

Sipas kësaj partie, Kosova vazhdon të mbetet e sanksionuar nga Bashkimi Evropian me një ngadalësim të zhvillimit për vendin dhe rritje të numrit të qytetarëve që po e braktisin vendin.

Zyrtarë nga kjo parti theksojnë se LDK-ja ka ofruar platformën “Rruga e Re” me 100 projekte zhvillimore, e cila sipas tyre, do të jetë një program qeverisës i LDK-së që i hap rrugë vendit për integrim dhe anëtarësim në NATO.

Berat Rukiqi zyrtar nga ky subjekt politik thotë për KosovaPress, se Kosova është duke u përballur me migrim të madh si pasojë e keqqeverisjes nga Vetëvendosje.

Rukiqi po ashtu ka kritikuar Qeverinë Kurti se deri tani nuk ka asnjë projekt madhor në zhvillim, dhe sipas tij, bizneset janë në krizë si rrjedhojë edhe rënies së investimeve kapitale.

Ai ka dhënë detaje nga platforma, duke thënë se kjo i hapë rrugë vendit për integrim evropian dhe anëtarësim në NATO.

Ish-kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Rukiqi thekson më tej se të gjitha projektet janë me karakter zhvillimorë: për investime në ushtri, arsim dhe shëndetësi.

Rukiqi ka folur për zgjedhjet, për centralin me gaz, si dhe për mbështetjen e qytetarëve, në këtë rast për programin për fëmijën e tretë me nga 5 mijë euro.

Në fund Rukiqi ka thënë se Qeveria ka marrë rolin e propaganduesit sa i përket trendeve ekonomike në vend, dhe për më tepër është bërë kërcënuese për bizneset.

Ai numëroi po ashtu ngecjet në ekonomi, duke thënë se ka rënie të eksporteve në këtë periudhë dhe rritje jo më të madhe ekonomike se 2 për qind.

“Qeveria çdo ditë i linçon dhe kërcënon ndërmarrësit. Kjo Qeveri nuk ka bërë asnjë politikë, vetëm se i ka vështirësuar punën sektorit privat, kjo shihet edhe me rënien e investimeve kapitale. Këto janë manipulime, kryeministri e ka marrë atë rolin propaganduesit kinse sukseseve”, thotë ai.

Me platformën “Rruga e Re”, LDK ka paraparë buxhet 4.5 miliardë euro deri në fund të mandatit, qendër të re spitalore në Prishtinë, ndërtimin e stadiumit kombëtar në Prishtinë, sigurime shëndetësore, 200 milionë euro buxhet për ushtrinë, katër kazerma ushtarake, si dhe projekte të tjera. /KP/

Të ngjashme