Lajme
“Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, DPS kërkon heqjen e pankartës me mbishkrime luftënxitëse në Mal të Zi
Demokracia
15:46 | 16 Dhjetor 2023

Share:

Komiteti Komunal i Partisë Demokratike të Socialistëve (DPS) në Budva i ka bërë thirrje Ministrit të Mbrojtjes të Malit të Zi, Dragan Krapoviç, që brenda kompetencave të tij, të heqë pankartën luftënxitëse me mbishkrimin “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që në sfond ka tri ngjyra që përfaqësojnë flamurin e Serbisë.

DPS i ka kërkuar Krapoviç-it këtë, meqë ai është vetë nga Budva, duke i thënë se kjo nxit agresion kundër një shteti sovran të njohur nga Mali i Zi, në këtë rast Kosovës.

“Kjo është detyra e tij si Ministër i Mbrojtjes i një shteti anëtar të NATO-s dhe si dikush që ka lindur në Budva, një qytet që dikur ishte simbol i turizmit malazez, të cilin qeveria aktuale po përpiqet ta reduktojë në një palankin nacionalist”, ka thënë dega e DPS-së në Budva.

Ata kanë theksuar se, duke bërë thirrje për kthimin e ushtrisë serbe në Kosovë, “grupet nacionaliste të udhëhequra nga shërbime të ndryshme parazbuluese”, anëtarët e të cilëve, shtojnë ata, “me sa duket kanë gjetur strehim në Budva dhe mbështetje në pushtetin lokal, po provokojnë dhe po përpiqen të kërcënojnë bashkëjetesën harmonike të qytetarëve të saj”.

“Kjo pankartë është turp i këtij qyteti, administratës së tij lokale, por edhe i qeverisë dhe institucioneve kompetente që mbështesin në mënyrë deklarative perspektivën evropiane të Malit të Zi, dhe nga ana tjetër i shikojnë në mënyrë pasive tërbimet nacionaliste në mbarë vendin tonë”, përfundojnë nga DPS.

Më 14 dhjetor, në rrethrotullimin i cili të shpie drejt qytetit bregdetar Budva në Mal të Zi, është shfaqur një pankartë e madhe me mbishkrime fashiste dhe luftënxitëse “Kur ushtria të kthehet në Kosovë”, që ka në sfond tri ngjyra – të cilat simbolizojnë flamurin e Serbisë.

Të ngjashme