Lajme
Kur mund t’i certifikojë KQZ-ja rezultatet e zgjedhjeve?
Demokracia
15:33 | 03 Mars 2021

Share:

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) pritet që nesër t’i shpallë rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve parlamentare që janë mbajtur më 14 shkurt. Pas kësaj, do të vijojnë procedurat tjera si ankesat e partive, dhe pas shqyrtimit mund të bëhet certifikimi.

Kjo është konfirmuar nga zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi, i cili përmes një konference për media ka thënë se sot do të përmbyllet procesi i numërimit të votave nga jashtë.

“Këtu në QNR jemi pothuajse në përfundim të numërimit të fletëvotimit nga jashtë Kosovës. Deri në orët e mbrëmjes numërimi do të përmbyllet. Pas kësaj, QNR-ja duhet disa orë kohë për  të përmbyllur administrimin për rezultatet e zgjedhjeve. Rezultatet përfundimtare do të shpallen nga KQZ, ditën e enjte më 4 mars. Në rezultatet përfundimtare do të përfshihen rezultatet e të gjitha votave.”, ka thënë ai, raporton Demokracia.com.

Tutje, Elezi ka njoftuar edhe në lidhje me procedurat tjera që partitë mund t’i ndjekin, në rast të mospajtimit me rezultatin e zgjedhjeve.

Pas shqyrtimit të ankesave, mbyllet procesi zgjedhor dhe certifikohet rezultati përfundimtar i zgjedhjeve.

“Pas shpalljes së rezultatet, subjektet politike dhe kandidatët kanë kohë 24 orë për të paraqitur ankesat e tyre në PZAP, ky institucion ka kohë më së shumti tre ditë për të shqyrtuar ankesat. Më pas, partitë mund t’i drejtohen Gjykatës Supreme brenda 24 orëve, ky institucion ka kohë tre ditë për të marrë vëendim lidhur me ankesat.

KQZ duhet të presë vendimmarjen e këtyre institucioneve, të veprojë në përputhje me ato dhe më pas pasi të përmbyllen çështjet, atëherë do të përmbyllet procesi zgjedhor dhe të certifikohet rezultati përfundimtar. Më pas KQZ, njofton presidentin apo ushtruesin e detyrës lidhur me rezultatet e zgjedhjeve.”, ka thënë ai, raporton Demokracia.com.

Ndryshe, sipas rezultateve preliminare të KQZ-së, LVV është fituese e këtyre zgjedhjeve.

Në vend të dytë ka dalë PDK-ja, pasuar në vend të tretë nga LDK-ja./Demokracia.com/

Të ngjashme