Lajme
Kur Lista Srpska “fryhej” se e kishte zgjedhur Vjosa Osmanin presidente
Demokracia
20:42 | 29 Mars 2023

Share:

Në medie është raportuar në lidhje me mundësinë e shpalljes jokushtetuese të zgjedhjes së presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, nga ana e Gjykatës Kushtetuese. Një gjë e tillë, sipas Gazetës 10, lidhet me dy deputetët e komuniteteve pakicë joserbe, të cilët pretendohet të jenë votuar në mënyrë jokushtetuese e në mënyrë të orkestruar nga ana e Listës Serbe.

Por dikur kjo parti “krenohej” se e ka bërë presidente Vjosa Osmanin, e cila kishte marrë edhe përkrahjen e partisë në pushtet VV dhe disa deputetëve opozitare. Në fakt, ishte vetë Lista Serbë që i kishte reaguar Osmanit, e cila në një deklaratë kishte theksuar se kjo parti “nuk interesohet të shtyjë përpara të drejtat e komuniteteve, por interesohet të jetë satelit i Vuçiqit”.

Një deklaratë e tillë e Osmanit e kishte shtyrë të reagonte me gjuhë të ashpër Listën Serbe.

“Vjosa Osmani e di shumë mirë falë cilit zyrtar të Listës Serbe, dy deputetë të Grupit tonë Parlamentar u pajtuan që ta votojnë për ta zgjedhur presidente,” – thuhej në deklaratën e Listës Serbe.

Përtej votave të VV-së, e cila kishte 58 deputetë, e tetë deputetë të grupit multietnik, prezent në ditën e votimit, që ishte mbajtur më 4 prill të vitit 2021. Atëbotë, në seancë ishin parë edhe deputetët e LDK-së, duke bërë që numri të mbërrinte në 77 deputetë, që është e pamjaftueshme për të bërë kourumin prej 81 deputetëve. Në skenë hyri Kurti, i cili e mori nga PDK-ja në VV deputeten Adelina Grainca, e cila ishte duartrokitur nga ana e deputetëve të shumicës për këtë kalim.

“Emri i Adem Hodzës ishte përmendur vazhdimisht ato ditë. Hodza është pjesë e Listës Serbe dhe sipas faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ai ka qëndruar në sallë. Përveç deputetit goran të bashkuar me Srpskan, një gjë të tillë del se e ka bërë edhe Fadil Gashi i komunitetit rom.” – shkruante Nacionale kohë më parë.

Por, kourumi për zgjedhjen e Osmanit do të bëhej nga 82 deputetë, pasi përveç kalimit të Graincës në VV nga PDK-ja, edhe deputetja Albena Reshitaj e “tradhtoi” partinë e saj, AAK, duke vendosur të votonte për Osmanin. E mbi të gjitha, numri i deputetëve të LDK-së që braktisi sallën ishte vetëm tre.

Në lidhje me një një ‘konspiracion’ të mundshëm në mes, kishte lënë të kuptohej edhe deputetja e AAK-së Time Kadriaj.

“Albena dhe Adem Hodza nuk e lejuan që zgjedhjen e presidentes ta shantazojë Lista Srpska, nejse Ademi na tregoi pse e votoi. Për tre të tjerët do e kuptojmë më vonë!” – ishte shprehur znj. Kadriaj që nuk kishte marrë pjesë në votim.

Ndryshe, sipas raportimit të Gazetës 10, që është gazeta e televizionit Kanal 10, ditë të mira nuk janë duke ardhur për presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani. Më saktësisht, një interpretim i Kushtetueses rreth votimit të “orkestruar” të Listës Serbe për partitë joserbe mund të prek edhe vetë zgjedhjen e Osmanit si presidente, ku gjatë raundin të parë ishin pjesëmarrës 81 deputetë.

Duke u thirrur në burimet e saja, gazeta shkruan se Kushetuesja do t’i shpallë si jolegjimit dy deputetë të komuniteteve pakicë joserbe.

“Katër paragrafë të një vendimi të PZAP, ku pranohej pjesërisht e bazuar ankesa e partive të komuniteteve pakicë për ndërhyrjen që kishte pasur në procsin e votimit Lista Serbe, pritet që t`i japin Gjykatës Kushtetuese argumente të qëndrueshme që dy deputetë nga këto komunitete të shpallen jolegjitim” – shkruhet aty në raportimin e kësaj gazete.

Të ngjashme