Lajme
Kur ishte në opozitë LVV-ja rrotullonte kamionët me mallra serbe, por në qeverisjen e Kurtit u shënua rekord i importit nga Serbia
Demokracia
22:36 | 07 Qershor 2022

Share:

Ish-kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, sot ka publikuar një grafikë të importeve të Kosovës nga vendet e rajonit për vitin 2020 dhe 2021.

Përmes një postimi në Facebook, Hoti ka shkruar se gjatë vitit 2020 sa ishte kryeministër, Kosova importonte mallra nga Shqipëria më së shumti, kurse në qeverisjen e kryeministrit Kurti në vitin 2021, Kosova ka importuar më së shumti mallra nga Serbia me një rritje prej 76% për një vit.

Deputeti i LDK-së, ua ka kujtuar Vetëvendosjes reciprocitetin e premtuar me Serbinë që s’është zbatuar dhe rrotullimin e kamionëve me mallra serbe, shkruan Demokracia.com.

E sigurisht që askush nuk e ka harruar kohën kur Albin Kurti dhe partia e tij sa ishin në opozitë organizonin shumë protesta kundër mallrave serbe në Kosovë.

Kurse, sot kur ai është në pushtet lëre që  importi nga Serbia u rrit në nivel rekord, por Kurti as nuk e vendosi reciprocitetin me Serbinë për të cilin thoshte se “është çështje ditësh” kur të bëhej kryeministër.

Në vitin 2012 qytetarët e Kosovës të thirrur nga Albin Kurti qëndruan më shumë se 12 orë në të ftohtë duke protestuar afër vendkalimit kufitar ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në Merdarë.

Albin Kurti në atë kohë deklaronte se po e mbron Republikën duke mos lejuar hyrjen e mallrave serbe në Kosovë.

“Do të vazhdojmë të qëndrojmë edhe në orët në vijim, edhe në ditët në vijim, deri atëherë kur Qeveria e Kosovës do të thotë ‘tash do ta bëjë shtetin e dinjitetshëm, do ta mbrojë republikën’. Kufiri me Serbinë është ndërkombëtar, Serbia është shtet armik dhe nuk do të lejohet ndërhyja dhe hyrja e saj”, thoshte Kurti aso kohe, derisa qëndronte me protestuesit në dalje të Podujevës.
Protesta e 14 janarit

Në atë protestë Kurti, thoshte se e ka vendosur reciprocitetin dhe sipas tij nuk ishte lejuar që të hyjë nga Serbia asnjë kamion apo automjet i vogël me targa serbe.

​“Prej se ka filluar kjo protestë paqësore po zbatohet reciprociteti i plotë politike, ekonomik dhe tregtar me Serbinë. Për shkak se asnjë maune, asnjë makinë e Serbisë nuk po kalon. Pra, motoja jonë “Serbia nuk kalon” po zbatohet dhe Policia e Kosovës është ajo që nuk po na i sjellë maunet dhe veturat e Serbisë në brendi të territorit të Kosovës”, thoshte në vitin 2011 kryeministri aktual. /Demokracia.com/

Të ngjashme