Lajme
Kur do të vaksinohet me anti-COVID Presidentja Vjosa Osmani?
Demokracia
17:42 | 06 Prill 2021

Share:

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani së bashku më ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia kanë vizituar qendrën e vaksinimit të stafit shëndetësor në Sallën 1 Tetori. Kryetarja e re e shtetit është pyetur edhe lidhur me atë se kur do ta marrë vaksinën, e që u përgjigj se do ta bëjë këtë “kur t’i vijë radha”.

Presidentja Vjosa Osmani, ka thënë se deri në momentin kur do të vaksinohen të gjithë qytetarët, duhet ta “mbrojmë njëri-tjetrin”, duke respektuar masat.

“Është shumë e rëndësishme që përkundër faktit që ka filluar ky proces ne të vazhdojmë t’i respektojmë të gjitha masat, të mbajmë maskën, distancën, higjienën, të cilat janë masat më të mira për ta na mbrojtur në këtë pandemi, deri në momentin kur secili qytetar i jonë të vaksinohet u informova me regjistrimin e qytetareve dhe dua t’i inkurajojë secilin gjithsecilin që sa më parë që të jetë i mundur që ta kryejnë procesin e vaksinimit sepse kapacitet edhe këtu në 1 tetori edhe në qendrat e mjekësisë familjare në Kosovë, ekzistojnë kapacitetet për ta bërë këtë proces. Dhe ata ta marrin këtë vaksinën në mënyrë që ta kenë mbrojtjen. Për fakt të keq numri i vdekjeve dhe infektimeve është i madh sepse siç po e shihni kjo vala e tretë ka përfshirë gjithë Evropën por edhe më gjerë prandaj duhet një proces shumë më i madh nga gjithsecili prej nesh që në radhë të parë ta mbrojmë e vetën ne radhë të parë të mbrojmë njëri tjetrin pra ti respektojmë.”, tha Osmani.

Tutje, ajo ka falënderuar stafin mjekësor të cilët po e organizojnë procesin e vaksinimit dhe se është e lumtur që ka filluar ky proces.

“Në këtë vend ku jepet mesazh i shpresës, që edhe pandemisë do t’i vije fundi, jam shumë e lumtur që ka filluar procesi i vaksinimit të qytetarëve tanë, veçanërisht personalit dhe personave mbi 80 vjeç dhe që deri më tani gjithçka shkon në mënyrë shembullore dua të falënderojë gjithsecilin nga stafi mjekësor të cilët po e organizojnë këtë proces kaq mirë, të gjithë ata nga tavolina e parë deri te tavolina e fundit  të cilët angazhohen në procesin e regjistrimit, ata që janë në gjendje gatishmërie si ndihmë e shpejtë dhe në fund mjekët dhe motrat ose teknikët medicinal që merren me procesin e vaksinimit.”, shtoi Osmani.

Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia tha se vaksinimi i personave mbi moshën 80 vjeçare do të fillojë nga data 8 ose 9 e këtij muaji, teksa shtoi se janë duke punuar në sigurimin e kontingjentit të dytë të vaksinave.

“Siç e dini kontingjenti i parë i vaksinave ka ardhur më 24 mijë doza, deri më janë vaksinuar mbi 3 mijë e 100 persona të stafit mjekësor, nga data 8-9 i këtij muaji do të fillojë me personat mbi moshën 80 vjeç, procesi është duke shkuar jashtëzakonisht mirë është bërë shpërndarja edhe në komunat e tjera. Ne nga dita e parë kemi filluar dhe intensifikuar sigurimin e kontingjenteve tjera dhe presim që shumë shpejt do të vijë kontingjenti tjetër, ky proces i përgatitur kaq mirë nga MSH, SHSKUK-ja, do t’i jep mundësi vaksinimit të qytetarëve.”, tha Vitia.

Ministri shtoi se nuk ka pasur hezitim nga stafi mjekësor për marrjen e vaksinës anti-COVID, dhe se ajo është e sigurt dhe nuk ka efekte të dëmshme.

“Në bazë të të gjitha informacioneve që kemi, vaksina është e sigurt dhe nuk ka efekte aspak serioze nga ata që e kanë marrë prandaj mos hezitoni as nga personeli shëndetësor po as nga qytetarët e tjerë sepse nuk ka asnjë arsye për mos marrjen vaksinën përkundrazi, do të na lehtësoj jetën tonë.”, tha ai.

Ministri foli edhe për lajmet se mund të ketë një sulm në një nga spitalet e Kosovës, duke thënë se pacientët janë të sigurt.

“Pacientët natyrisht janë të sigurt, ne bashkë me bordin dhe drejtorin e SHSKUK-së kemi pasur disa takime ku kemi biseduar që përcjellja e familjareve nëpër spitalet tona nuk duhet të jetë më shumë se një. Për momentin duhet respektuar të gjitha masat dhe duke pas parasysh se për një kohë fatkeqësisht këto masa nuk janë respektuar aq sa duhet, ne i kemi marrë masat që mos të jetë edhe institucioni shëndetësor një nga shpërndarësit e virusit”, tha ai.

Aktualisht në Qendrën 1 Tetori deri në orën 12:20, sipas menaxherit të sallës, Niman Bardhi janë vaksinuar mbi 3 mijë e 100 persona nga stafi mjekësor.

Sipas të dhënave të Instituti Kombëtar të Shëndetit Publik në 24 orët e fundit kanë vdekur edhe tetë persona të infektuar me COVID-19, ndërsa janë regjistruar edhe 489 raste të reja./Demokracia.com/

 

Të ngjashme