Lajme
Kur do ta njohin pavarësinë e Kosovës Sllovakia, Greqia e Rumania?
Demokracia
22:08 | 12 Mars 2023

Share:

Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovakisë ka thënë se përkrah dialogun Kosovë- Serbi. Ata nuk kanë treguar se nëse do e njohin shtetin e Kosovës edhe nëse ndodh nënshkrimi i marrëveshjes ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. Nga Ministria e Jashtme e Greqisë dhe Rumanisë nuk kanë kthyer përgjigje për këtë temë. Kosova vazhdon të mos njihet nga pesë vendet e Bashkimit Evropian.

Ende nuk është e qartë nëse arritja e një marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, do t’i hapte rrugë Kosovës që të pranohet si shtet të paktën nga disa shtete të pesëshes evropiane që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet.

Nga 27 shtetet anëtare të BE-së, pesë prej tyre nuk e njohin Kosovën si shtet, ku bëjnë pjesë Spanja, Greqia, Rumania, Qipro dhe Sllovakia.

Derisa sa qeveria spanjolle dhe ajo e Qipros kanë thënë se nuk do të ndryshojë qëndrim për njohje të Kosovës, ato megjithatë kanë thënë se përkrahin dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Nga Ministria e Punëve të Jashtme e Sllovakisë duke mos u përgjigjur drejtpërdrejt në pyetjen e Radio Kosovës se a do të ndryshojë qëndrimi i Sllovakisë pas nënshkrimit eventuale të marrëveshjes së 18 marsit, kanë thënë se nga Kosova dhe Serbia presin zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe një qasje konstruktive në raundet e ardhshme të negociatave.

“Rezultati i takimit të fundit të Dialogut është një hap i rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës. Kjo mund të jetë një shtysë për negociata të mëtejshme që çojnë në marrëveshjen ligjërisht të detyrueshme dhe normalizimin e plotë të marrëdhënieve të tyre. Nga të dyja palët presim zbatimin e të gjitha marrëveshjeve të kaluara dhe një qasje konstruktive në raundet e ardhshme të negociatave”, kanë thënë nga Ministria e Punëve të Jashtme të Sllovakisë për Radio Kosovën.

Radio Kosova ka dërguar pyetje edhe te Ministria e Punëve të Jashtme të Greqisë dhe Rumanisë, por deri tani nuk ka marrë përgjigje për këtë temë.

E deputetja shqiptare në Parlamentin e Kroacisë, Ermina Lekaj Prljaskaj, ka thënë për Radio Kosovën, se Kroacia do të lobojë te këto shtete evropiane.

“Kemi premtuar lobim nga qeveria kroate në këtë pesë shtetet e BE-së, që ende nuk e kanë njohur Kosovën. Për shkak të politikës ndërmjet Rusisë dhe Ukrainës, mund të ndryshojë edhe qëndrimi i këtyre pesë shteteve që nuk e njohin për momentin Kosovën. “

Kushtrim Istrefi, profesor i Marrëdhënieve Ndërkombëtare në Holandë, thotë se është problem të parashihet reagimi i shteteve mos njohëse të BE-së. Por sipas tij, është me rëndësi që Qeveria e Kosovës t’i bëjë me dije këtyre shteteve që nga pika 1 deri në 4 të propozimit franko-gjermane, janë pika që në “heshtje” e njohin shtetin e Kosovës.

“Kjo marrëveshje në nenet e saj nga 1 deri në 4 përmban elemente shumë të fuqishme të pranimit të shtetësisë në heshtje”, thotë Istrefi për Radio Kosovën.

“Mendoj që është shumë me rëndësi që kjo të artikulohet qartë dhe të binden shtetet pse duhet ta njohin shtetin, pastaj a mund të realizohet kjo, apo jo, shkon edhe përtej argumentimit të kësaj marrëveshjeje.”

Shefi i Zyrës së BE-së në Prishtinë, Tomas Szunyog, në një intervistë për Radio Kosovën pati deklaruar se sipas diskutimeve që ka pasur me përfaqësues të këtyre shteteve, ata presin që të ketë përparime në dialog me Serbinë dhe normalizim të marrëdhënieve ndërmjet dy shteteve.

Krerë të lartë shtetërorë kanë deklaruar se ka përparim në lobim për të marrë njohjen nga pesë vendet anëtare të Bashkimit Evropian.

Të ngjashme