Pas pesë vitesh stagnim në sigurimin e njohjeve të reja ndërkombëtare për shtetin e Kosovës, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka vendosur të ndërmarrë një veprim simbolik të bëj botimin e një libri në gjuhën angleze për masakrat e kryera nga forcat serbe gjatë viteve 1998–1999. Ky akt vjen fund të madatit Kurti II, në një kohë kur diplomacia kosovare është kritikuar për mungesë rezultatesh konkrete në arenën ndërkombëtare, shkruan Demokracia.com.
Për këtë qëllim, MPJD ka zhvilluar një procedurë me negocim të drejtpërdrejtë me kompaninë “Dukagjini”, për një kontratë me vlerë rreth 15 mijë euro. Libri planifikohet të shpërndahet në vendet me të cilat Kosova ka marrëdhënie diplomatike, përmes ambasadave dhe misioneve të saj në botë.
Sipas përshkrimit të kontratës, libri do të përmbajë dokumentim të masakrave të kryera gjatë luftës në Kosovë, të mbështetura me burime vendore dhe ndërkombëtare, fotografi me ngjyra dhe materiale shtesë të printuara. Ai synon të kontribuojë në ruajtjen e kujtesës historike, të ndihmojë në përpjekjet për drejtësi për viktimat dhe të parandalojë përsëritjen e krimeve të ngjashme në të ardhmen.
Në pamje të parë, nisma mund të duket legjitime dhe me vlera historike. Askush nuk e vë në dyshim rëndësinë e dokumentimit të krimeve të luftës. Megjithatë, në një lexim më kritik, kjo iniciativë del të jetë më shumë një përpjekje për të mbuluar një boshllëk të thellë diplomatik sesa një strategji e mirëmenduar për avancimin e interesave shtetërore.
Ajo që i shton edhe më shumë dyshimet për këtë proces është fakti se libri që do të botohet dhe shpërndahet është ai i Shkëlzen Gashit, ish-këshilltar i Kryeministrit Albin Kurti dhe aktualisht opinionist publik që mbron me zell politikën e tij dhe të vartësve të tij. Edhe pse kontrata është lidhur me kompaninë “Dukagjini”, pikërisht aty ku edhe shitet libri i Gashit, mbetet e paqartë nëse vetë autori do të përfitojë financiarisht nga kjo marrëveshje. Sipas dokumentit të negociatave, të zhvilluara ndërmjet komisionit të MPJD-së dhe përfaqësueses së kompanisë “Dukagjini SHPK”, Klarita Demiri Hasimja, është deklaruar se shitja e librit bëhet pa përfitime financiare, me qëllim që të mbështetet krijimi i një faqeje të internetit të dedikuar dokumentimit të krimeve të luftës në Kosovë. Çmimi fillestar i kontratës ishte 15,000 euro dhe pas “negociatave” është zbritur simbolikisht në 14,999 euro.
Megjithëse përmbajtja e librit ka rëndësi historike dhe humane, orientimi i shpërndarjes vetëm në vendet që tashmë e kanë mardhënie diplomatike me Kosovës hedh dyshime të mëdha mbi efektin real diplomatik të kësaj nisme. Nëse qëllimi është të luftohet mohimi i krimeve të luftës dhe revizionizmi historik, shpërndarja do të duhej të synonte qarqet akademike dhe politike në shtetet që ende nuk e kanë njohur Kosovën si shtet të pavarur, jo në ato që tashmë janë aleatë.
Që nga viti 2021, Kosova ka regjistruar vetëm dy njohje të re, në një kohë kur përpjekjet e koordinuara të mëhershme kishin sjellë rezultate të prekshme. Në këtë kontekst, botimi i një libri, sado me rëndësi për ruajtjen e kujtesës historike, nuk përbën një instrument të mjaftueshëm diplomatik. Përkundrazi, ky veprim rrezikon të perceptohet si një përpjekje për konsum të brendshëm politik dhe simbolik, për të krijuar përshtypjen e angazhimit të institucioneve, ndërkohë që rezultatet mungojnë.
Nëse diplomacia kosovare nuk arrin ta rifitojë energjinë, përmbajtjen dhe vizionin e saj, ajo rrezikon të shndërrohet në një zyrë botimesh patriotike, një arkiv kujtimesh të dhimbshme, por jo një motor që shtyn përpara të ardhmen e shtetit.
Kjo nuk është hera e parë që Ministria e Punëve të Jashtme investon shuma të mëdha në projekte me rezultat të diskutueshëm. Kujtojmë këtu kontratën e shumëpërfolur me lobistin Gani Jakupi, të cilit iu dhanë mbi 600 mijë euro për lobim në arenën ndërkombëtare, me qëllim që të ndihmonte në njohjet dhe forcimin e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës. Edhe atëherë, mungesa e transparencës dhe rezultateve konkrete ngjalli reagime të forta. /Demokracia.com/