Lajme
Kur dështimet gjyqësore bëhen prioritet buxhetor: Për tre muaj Komuna e Prishtinës harxhon mbi 1.8 milionë euro në dëm të qytetarëve
Demokracia
14:04 | 18 Prill 2025

Share:

Në një kohë kur nevojat e qytetarëve për shërbime më të mira urbane rriten, Komuna e Prishtinës po përdor mjete të mëdha financiare për të mbuluar vendime të dëmshme të gjykatave. Gjatë tremujorit të parë të këtij viti, komuna ka shpenzuar një shumë prej miliona eurove për përmbaruesit privat dhe vendimet e dëmshme gjyqësore, shkruan Demokracia.com.

Vetëm në tremujorin e parë të këtij viti, Komuna e Prishtinës ka paguar gjithsej 1,881,202.02 euro nga buxheti i rregullt, për shkak të vendimeve gjyqësore të humbura dhe përmbarimeve. Ky është një tregues i qartë i dështimit institucional në menaxhimin e obligimeve ligjore dhe kontraktuale, dhe për më keq, ky dështim po paguhet me para publike.

Këto të dhëna kan dal nga Raprti i buxhetit të Komunës së Prishtinës për tremujorin  e parë të vitit 2023, i cili pritët të shkojë në Kuvendin komunal si informatë.

Nga kategoria ekonomike “mallra dhe shërbime” janë shpenzuar 968,995.73 euro, ndërsa nga kategoria e “subvencioneve” 230,655.40 euro. Më e rënda: nga kategoritë kapitale, të cilat supozohet të përkthehen në investime konkrete për qytetarët, janë përdorur 681,550.89 euro për të mbuluar vendime të dëmshme gjyqësore. Me fjalë të tjera, në vend të rrugëve, shkollave, kopshteve apo spitaleve, komuna ka investuar në… dështime ligjore.

Nuk është cekur se nga cilat investime kapitale janë marr parët, por një gjë është evidente, se disa prej tyre te paraqitura në buxhet nuk do të mund të realizohen.

Lista e drejtorive që kanë kontribuar në këtë “faturë” është po aq shqetësuese sa vetë totali.

  • Drejtoria e Administratës: 434,995.73 €
  • Drejtoria e Shëndetësisë: 17,296.82 €
  • Drejtoria e Arsimit: 85,000.00 €
  • Drejtoria e Bujqësisë: 14,732.73 €
  • Drejtoria e Shërbimeve Sociale: 40,625.85 €
  • Drejtoria e Kulturës: 54,000.00 €
  • Drejtoria e Sportit: 54,000.00 €
  • Drejtoria e Investimeve Kapitale: 681,550.89 €
  • Drejtoria e Shërbimeve Publike: 499,000.00 €

Në vend të përmirësimit të shërbimeve, qytetarët e Prishtinës po përballen me një komunë që shpenzon miliona euro për të mbuluar pasojat e paaftësisë së saj institucionale.

Kjo situatë nuk mund të konsiderohet normale, dhe aq më pak e pranueshme. Kur një komunë shpenzon më shumë për përmbarues e dënime gjyqësore sesa për projekte zhvillimore, atëherë kemi të bëjmë me një prioritet të përmbysur dhe një alarm për qeverisje të dështuar.

Në raport nuk është cekur se cilat janë arsyet për këto vendime të humbura, por siç ka raportuar Demorkacia.com, javë më parë, vetëm në vitin 2024 Komuna ka paguar mbi 10 milionë euro për vendimet e dëmshme.

Përveç pagesave që tashmë janë ekzekutuar për vendime gjyqësore të humbura, Komuna e Prishtinës përballet edhe me detyrime kontingjente, pra, obligime potenciale financiare që mund të kthehen në pagesa të vërteta nëse humben rastet gjyqësore. Sipas raportit të Zyrës për Përfaqësim Juridik për periudhën janar-mars 2025, kjo zyrë është duke trajtuar gjithsej 476 lëndë, prej të cilave 470 raste kanë një vlerë të përllogaritur prej 743,442.33 euro, ndërsa 6 raste të tjera nuk e kanë të përcaktuar shumën. Të gjitha këto lëndë lidhen me kategorinë e pagave dhe mëditjeve, duke e rritur më tej rrezikun financiar që komuna do të duhet të përballojë në muajt në vijim, për shkak të moszgjidhjes së problemeve të brendshme ligjore e administrative.

Buxheti i Komunës së Prishtinës po përballet me një barrë të rëndë financiare, siç dëshmohet nga raportet e fundit për vitin 2014 për detyrimet kontingjente. Sipas të dhënave të publikuara, detyrimet kontingjente të komunës arrijnë në një total alarmues prej 80.2 milionë euro. /Demokracia.com/

Prishtina në krizë financiare: Mbi 10 milionë euro humbje në 2024 nga përmbarimi dhe 80 milionë euro borxhe

Të ngjashme