Lajme
Kur Albin Kurti shkruante letër nga qelia: “O Republikë, o Zajednicë!”
Demokracia
15:09 | 08 Gusht 2022

Share:

Nga tri pozita, jo aq të lakmueshme, mund të mbrohej ‘Zajednica’ në Kosovë, sipas Albin Kurtit. Në vitin 2015, asokohe në cilësinë e liderit të opozitës, Kurti vlerësonte se Marrëveshja e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe mund të mbrohej nga: mazokistët, të shantazhuarit dhe serbofilët.

Pak pa u bërë shtatë vjet, kryeministri Kurti pritet të diskutojë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq rreth themelimit të një Asociacioni të Komunave me Shumicë Serbe.

Në takimin e caktuar më 18 gusht në kuadër të dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian, Asociacioni pritet të jetë temë diskutimi mes dy liderëve shtetërorë, ka paralajmëruar një ditë më parë Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i Departamentit Amerikan të Shtetit për Ballkanin Perëndimor.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për Asociacionin, prandaj duhet të diskutohet”, tha Escobar gjatë një bisede virtuale me gazetarë të dielën.

Më 2015, si opozitar, Albin Kurti ishte shprehur kategorikisht kundër themelimit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe. Kundërshtimin e marrëveshjes nuk e kishte ndalur as nga brenda qelisë së burgut të Dyzit.

Nga atje, një ditë pas arrestimit më 29 nëntor të 2015-s, ai u kishte dërguar mediave një letër ku shprehej kundër themelimit të Asociacionit, dokument ky i nënshkruar nga kryeministri i atëhershëm, Isa Mustafa si rrjedhojë e bisedimeve Kosovë-Serbi me ndërmjetësimin e Brukselit.

Nga qelia e paraburgimit Albin Kurti i Vetëvendosjes kishte bërë publike një letër me titullin “O Republikë, o Zajednicë”.

Ai kishte akuzuar ish-kryeministrin Mustafa dhe ish-ministrin e Punëve të Jashtme, Hashim Thaçin për pazare me Serbinë.

“Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit”, shkruante Kurti.

Më poshtë mund ta gjeni letrën e plotë të Albin Kurtit të publikuar më 29 nëntor 2015 përderisa ai po qëndronte në burg:

Në Kuvendin e Serbisë, përveç dy deputetëve shqiptarë atje, nuk kishte asnjë deputet që ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Po ashtu, asnjë ministër a zëvendës-ministër në Qeverinë e Serbisë nuk ishte për anëtarësimin e Kosovës në UNESCO. Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës shumica e deputetëve, për shkak të koalicionit PDK-LDK-Srpska, janë për ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë. Asnjë ministër a zëvendësministër i Qeverisë së Kosovës nuk doli kundër ‘Zajednicës’ së Serbisë! Pra, në Beograd politikanët serbë janë unikë kundër Kosovës dhe shqiptarëve. Në Prishtinë, ne politikanët shqiptarë jemi të ndarë rreth Serbisë dhe apetiteve të saj! Skena politike në Kosovë nuk është e ndarë si opozitë-pozitë për pushtet në Kosovë, por është ndarë për e kundër ‘Zajednicës’ nga shteti i Serbisë. Pyka në politikën kosovare është serbe.

Fushata kundër anëtarësimit të Kosovës në UNESCO është e keqja më e vogël që Serbia ia ka bërë Kosovës. Të këqijat e tjera që na i ka bërë e po na i bën Serbia janë më të mëdha e shumë më të mëdha se kaq, por ja që për ato asnjë fjalë asnjëherë nuk e thotë Qeveria. Mustafa e Thaçi heshtën edhe për bllokimin e librave shkollorë shqip në terminalin doganor në Preshevë. Ama bash asnjë fjalë s’e tha asnjëri prej tyre për nxënësit shqiptarë që mbetën pa librat shqip.

Veçse kjo heshtje e përgjithshme e Qeverisë së Kosovës gjithsesi e ka edhe një ambient të përshtatshëm në shoqëri e posaçërisht në medie. Disi edhe elitës kosovare vazhdimisht po duhet t’ua përkujtojë Serbia se kush është ajo. Elita kosovare është bërë porsi një kompjuter me RAM memorie pa hard disk. U kujtuan për Serbinë armike e keqbërëse, u kujtuan për ndërprerje ose ridimensionim të dialogut me Serbinë, vetëm pasi që Kosova nuk u pranua në UNESCO. Për elitën kosovare Serbia është e keqe vetëm nëse është vazhdimisht e keqe.

Jo rastësisht në thumb të kësaj elite prej opinionistësh ndodhet ‘dhuna opozitare’. Polarizimi aktual në Kosovë ka nxjerrë në pah diç shumë të rëndësishme: nëpër debatet televizive po demaskohen analistët! Në neutralitetin e tyre po shihet se kanë qenë bukur pranë qeverisë e mjaft larg opozitës. Shumica e këtyre opinionistëve neutralë doli se janë një hap larg qeverisë dhe pesë hapa larg opozitës! I këtillë na paska qenë neutraliteti i tyre. Ata kanë qenë të paanshëm në kuptimin që s’kanë qenë identikë me pozicionin as të qeverisë dhe as të opozitës së bashkuar, mirëpo fare nuk kanë qenë të baraslarguar në këtë ‘paanshmërinë’ e tyre.

Të gjithë opinionistët e paanshëm që flasin një herë për ‘dhunën’ e opozitës së bashkuar apo të Vetëvendosje-s do të duhej të flasin 10 herë për dhunën e plaçkitjes së dhomave të dëshmive në policinë e Kosovës ku u vodhën droga, ari dhe dosjet, apo jo? Por ja që këtë nuk e bëjnë pothuajse asnjëri prej tyre. Dhe, duhet kritikuar 20 herë ‘Zajednica’ e Serbisë dhe ‘Demarkacioni’ me Malin e Zi, 10 herë dhuna policore në rrugët e Prishtinës dhe nëpër stacione të policisë, e vetëm njëherë gazi e spreji lotsjellës në Kuvend si dhe gurët në duart e protestuesve të paarmatosur përballë policëve specialë të armatosur gjer në dhëmbë. Përndryshe, s’ka kuptim ky farë ‘opinioni neutral’.

Qeveria e Kosovës moti ia ka mbyllur me shul derën popullit të Kosovës andaj tash ai ia theu xhamat e dritareve asaj. Prona shtetërore e publike është uzurpuar nga kjo qeveri kuislinge e ‘Zajednicës’. Ne nuk po dëmtojmë diçka që është e popullit por diçka që i është marrur popullit, i është uzurpuar atij. Dëmet materiale nuk janë më dëmtime të pronës së popullit por dëmtime të qeverisë anti-popullore. Dhe, jo vetëm kaq. Të gjithë policët e lënduar në të kaluarën, të gjithë policët që mund të lëndohen në të ardhmen, duhet t’i kërkojnë llogari qeverisë pse nuk po tërhiqet prej pazareve të tyre me Serbinë dhe Malin e Zi ku Kosova shitet më lirë se badihava.

Qeveritarët kosovarë me në krye Isa Mustafën duket se janë të obsesionuar me pronat private dhe indiferentë ndaj territorit të shtetit. Pra, ata sillen si biznesmenë meskinë e jo si përfaqësues dhe dalzotës të popullit. Njëmend ‘Zajednica’ është pasojë e Marrëveshjes së 19 prillit 2013 para se të jetë e asaj të 25 gushtit 2015. Mirëpo, pa këtë marrëveshjen e Isës me Vuçiqin, ajo e Thaçit me Daçiqin nuk do të konkretizohej praktikisht. Sigurisht që strukturat shtetërore të Serbisë në Kosovë kanë mundur ta shpallin ‘Zajednicën’ e komunave me shumicë serbe. Mirëpo, çështja që shtrohet këtu është pse këtë shpallje t’ia bëjë ‘Zajednicës’ vetë shteti i Kosovës përkatësisht qeveria Mustafa?! Kur ta thyejnë këmbën, më mirë është të mos e vësh në gjips fare sesa ta vësh gjipsin e një kallëpi të gabueshëm i cili mandej do të detyrojë ta thyesh sërish këmbën, por asaj radhe t’ia thyesh vetes këmbën!

Nuk mund të rrinë në Kosovë edhe Republika jonë edhe ‘Zajednica’ e Serbisë. Prandaj do të bijnë ose Qeveria ose ‘Zajednica’ ose të dyja këto. Mustafa e Thaçi po i konsiderojnë pazaret e tyre me Serbinë e Malin e Zi sikur të ishin libra të shenjtë. Qeveria e Kosovës nuk po e mbron shtetin e Kosovës nga Serbia, por po e demonstron pushtetin e saj mbi opozitën. Këso nënshtrimi ndaj Serbisë moti s’ka pasur kush në Kosovë. ‘Zajednicën’ e Serbisë në Kosovë mund ta mbrosh ose nga gjendja e mazokistit ose nga pozita e serbofilit ose nga rrethana e të shantazhuarit.

LEXO EDHE:

Kurti hedh poshtë kërkesën e SHBA-së: Janë të pranueshme modelet si komunat e Maleve të Sharrit apo të Bjeshkëve të Rugovës…

Të ngjashme