Lajme
Kundërshtimi i Kurtit për Asociacionin cilësohet si lojë fjalësh dhe shpatë me dy teha
Demokracia
21:39 | 17 Qershor 2021

Share:

Ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Philip Kosnett është shprehur se Kosova e ka për detyrim që ta formojë Asociacionin e komunave me shumicë serbe. Ndërsa kryeministri i Kosovës, Albin Kurti iu është përgjigjur duke thënë se kërkesat për asociacion një-etnik nuk po vijnë nga njerëz të thjesht, por nga politikanët e fqinjët veriorë. Analistët politikë, për Demokracia.com këtë e kanë quajtur “shpatë me dy teha” dhe se dështimi i kësaj marrëveshje çon në prishjen e rendit kushtetues.

Sipas njohësve të çështjeve politike dhe të dialogut, kjo deklaratë e ambasadorit Kosnett, është parë si thirrje e SHBA-së për t’u zbatuar marrëveshjet e arritura në dialogun Kosovë-Serbi.

Njohësi i çështjeve politike, Visar Ymeri për Demokracia.com tha se ky obligim rrjedh nga marrëveshja e ratifikuar dhe nga aktgjykimi i Gjykatës Kushtetuese për këtë çështje.

“Pra, Ambasadori Kosnett duke i shprehur qëndrimet e ShBA-së në të vërtetë po kërkojnë zbatim të marrëveshjes së nënshkruar më herët nga përfaqësuesit e Kosovës. Por problemi me këtë marrëveshje qëndron në faktin se ajo u dëshmua të jetë konceptualisht e faktikisht në shpërputhje me Kushtetutën e Republikës meqë cënon dy parime të rëndësishme të saj: barazinë e qytetarëve (duke mbitheksuar përkatësinë etnike në dëm të barazisë qytetare); dyshkallshmërinë e pushteteve në Kosovë (duke instaluar një pushtet të tretë rajonal mes atij qendror dhe pushtetit lokal). Si dhe, për më tepër e më keq se kaq, Marrëveshja në tërësi përkundër themelimit të Asociacionit/Bashkësisë nuk kërkon edhe njohjen e Kosovës nga Serbia, që do të nënkuptonte edhe fund të dialogut e fund të kompromisit”, tha Ymeri.

Ai tha po ashtu se për sa i përket zbatimit të marrëveshjeve ato ose duhet zbatuar ose duhet gjetur mënyrë ligjore të anulimit të tyre.

“Loja me fjalë e Kryeministrit Kurti është shpatë me dy teha. Duke menduar e tingëlluar sikur po e kundërshton Asociacionin e komunave me shumicë serbe në të mirë të Republikës, Kryeministri po rrezikon që ta hap këtë temë me një qasje tjetër. Kur kryeministri thotë se nuk mund të ketë Asociacione etnike por zhvillimore (me referenca gjeografike) a po mendon se do të kishte qenë në rregull nëse themelojmë një mekanizëm institucional për veriun? P.sh Bashkësia/Distrikti i komunave të veriut? Problemi nuk është te emri por te përmbajtja. Por edhe zbatimi duhet të kushtëzohet me Marrëveshjen finale e cila do të duhej të ishte marrëveshje për Njohje dhe Normalizim të ndërsjellë”, tha Ymeri për Demokracia.com.

Nga ana tjetër Jeta Krasniqi nga Instituti Demokratik i Kosovës (KDI), ka thënë për Demokracia.com se ambasadori amerikan Philip Kosnett ka paralajmëruar që marrëveshjet e arritura që nga fillimi i dialogut e deri më tani duhet të përmbushen.

“Me deklaratën e tij ambasadori amerikan Kosnett e tha që në fakt procesi 10 vjeçar i dialogut që ka filluar që nga 2011-ta nuk mund të zhbëhet totalisht, kjo si një përgjigje ndaj Qeverisë Kurti e cila thotë se ne do të fillojmë një dialog të ri, do ta nisim nga fillimi. Kjo edhe për të thënë se Kosova tashmë ka marrëveshje të cilat i ka marrë përsipër t’i përmbush dhe një ndër to është edhe asociacioni”, tha Krasniqi.

Më tej, ajo tha se nëse shkohet duke u shkelur udhëzimi i Gjykatës Kushtetuese, atëherë rrezikohet që të ketë një entitet i cili është me kompetenca ekzekutive, dhe sipas Krasniqit e prish rendin kushtetues.

“Ne si Kosovë kemi thënë në vazhdimësi se jemi të gatshëm të formojmë një asociacion të komunave me shumicë serbe, por ta bëjmë atë në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2016 pasi që vetëm në atë mënyrë ne mund të garantojmë që funksionimi ynë unitar, kushtetues do të vazhdojë”, tha Krasniqi për Demokracia.com.

Kujtojmë se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve, ka nisur në vitin 2011. Këtë javë është mbajtur rifillimi i bisedimeve, mes kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, dhe presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. Në këtë takim janë shprehur vetëm qëndrimet dhe pritjet e palëve.

Takimi i radhës pritet të mbahet më 25 korrik./Demokracia.com/

 

Të ngjashme