Lajme
Kundërshtari i Zajednicës, Albin Kurti nuk ka guxim ta shfuqizojë vendimin e Goran Rakiqit
Demokracia
21:30 | 25 Prill 2023

Share:

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është paraqitur sot jo shumë i informuar në lidhje me prezantimin e draft-statutit të Asociacionit dhe as për ekipin menaxhues.

Kurti sot tha se në takimin e Ohrit,  kishte pranuar ta shkruante vetë draft-statutin e Asociacionit, shkruan Demokracia.com.

“Një gjë e tillë u refuzua dhe mua mu tha nga ndërmjetësit që këtë duhet ta bëjë ekipi menaxhues…”, u shpreh Kurti.

Por Kurti sot padashur shfaqi edhe një paaftësi dhe mungesë të guximit. Ai tregoi se ka mungesë guximi që ta shfuqizojë një vendim të ish-ministrit të tij, Goran Rakiq.

“…ka një vendim të fundit të ish zv. kryeministrit Rakiq nga 25 shtatori 2020 për një ndërrim të përbërjes (të ekipit menaxhues). Mirëpo, kaq di nga ana ime. I përket ekipit menaxhues të shfaqet.”, tha Kurti.

Kurti tutje tregoi se nga qeveria e tij kishte pasur përpjekje për takim, por nga ekipi menaxhues kishin refuzuar.

“…ministri im Elbert Krasniqi i ka bërë ftesë për takim këtyre mirëpo ata nuk janë përgjigje asnjëherë.” , është shprehur ai.

Më herët, zv. kryeministri Besnik Bislimi kishte deklaruar se ekipin menaxhues e kryesonte një anëtare e partisë së Vuçiqit dhe deputete serbe me emrin Danijela Vujiçiq. Sa i përket anëtarëve tjerë, ende nuk dihet gjë.

Ekipi menaxhues pritej që të prezantonte draftin e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe në fund të muajit prill. Megjithatë, takimi i nivelit të lartë mes kryeministrit kosovar Kurti dhe presidentit serb Vuçiq ishte shtyrë për 2 maj.

Pikërisht deri më 2 maj, ShBA-ja i kishte kërkuar Kosovës që deri më 2 maj të kishte një propozim konkret për Asociacionin.

“Shpresoj që deri më 2 maj të ketë një propozim konkret (për Asociacionin,” , ishte shprehur  Gabriel Escobar, i dërguari i posaçëm i ShBA-ve për Ballkanin Perëndimor.

“Është një detyrim ekzistues në bazë të marrëveshjes së Brukselit dhe ishte shumë e vështirë për këtë qeveri dhe parti që ta pranonte si të detyrueshme. Por tani po e konsiderojnë si detyrim, janë pajtuar me të dhe kanë thënë publikisht se cila duhet të jetë korniza dhe parametrat e Asociacionit. Dhe ne pajtohemi me këto parametra” , kishte thënë Escobar.

 

Të ngjashme